Porta dhe sulmi, dy emergjenca tek Egnatia. Trajneri Tetova është në vështirësi prej largimeve të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 9:31

Porta dhe sulmi, dy emergjenca tek Egnatia. Trajneri Tetova është në vështirësi prej largimeve të fundit

Egnatia po stërvitet në Lekaj prej ditësh në kuadër të ndeshjes së parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës kundër Vikingur Reikjavikut.

egnatia

Trajneri Edlir Tetova këtë herë do të ketë një grup më të cunguar dhe duhet t’i bëjë mirë llogaritë me lojtarët që ka aktualisht në përbërje. Ditët e fundit kampionët e Shqipërisë kanë humbur pjesë të rëndësishme në merkaton e verës, siç janë Melih Ibrahimoglu, Sebastjan Spahiu dhe Alen Sherri, apo edhe më herët braziliani Fernando. Janë tre titullarë që drejtuesit e Egnatias do të bëjnë gjithçka për t’i zëvendësuar për të ruajtur ekuilibrat, aq më tepër që të enjten luan sfidën e rëndësishme me islandezët e Vikingurit. Porta dhe sulmi janë repartet më shqetësuese për momentin. Drejtuesit e Egnatias kanë piketuar disa lojtarë për të plotësuar vendet që kanë mbetur bosh, por vështirë se ata që mund të vijnë dhe të jenë gati për ndeshjen e së enjtes.

PORTA – Pika më “e nxehtë” aktualisht, pas largimit të Alen Sherrit te Kaljari, është kuadrati i portës, ku Ilir Dobjanit do t’i duhet të tregojë vlerat e tij në këtë pozicion. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se në kushte emergjence drejtuesit e klubit Klajdi Kukën, 34-vjeçarin i cili ka luajtur për shumë skuadra në vendin tonë, mes tyre Besa, Dinamo, Tomori, Kastrioti e Flamurtari. Ai është bashkuar dje në stërvitje me ekipin. “Gardiani” 22-vjeçar, i dalë nga Tirana, sezonin e fundit ka luajtur për Kastriotin në Kategorinë e Parë. Kuka ka zhvilluar një sezon të kënaqshëm në aspektin personal dhe vjen si portier i dytë, apo edhe alternativë e tretë për trajnerin Edlir Tetova. Kandidatë për portën e Egnatias janë po ashtu edhe Mario Dajsinani dhe italiani Gabriele Markexhani. Për afrimin e këtij të fundit do të shfrytëzohet edhe miqësorja me Napolin më 28 korrik. Portieri 28-vjeçar është pa skuadër aktualisht dhe ka shprehur dëshirën për të luajtur me kampionët e Shqipërisë. Pista e Dajsinanit duket pak e vështirë, sepse presidenti i Laçit, Pashk Laska, nuk e lejon të largohet mesfushorin, edhe pse i janë afruar 100 mijë euro për shërbimet e tij.

SULMI – Gazeta mëson ndërkohë se drejtuesit rrogozhinas po mundohen për të ofruar sa më shpejt edhe dy lojtarë me kualitet në repartin e sulmit. Me Lubas dhe Drame, të cilët nuk kanë bindur deri tani, kampionët e Shqipërisë do të tentojnë patjetër një sulmues anësor për sezonin e ri. Aktualisht në skuadër janë Kasa dhe Xhoel, por fakti që Egnatia do të luajnë në disa fronte sezonin 2024-2025, bën që të kërkohen edhe alternativa të mira për të ruajtur trofetë e fituar vetëm pak muaj më parë.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"