Portieri “trondit” Flamurtarin, një muaj jashtë fushave. Ja situata e dëmtimeve te kuqezinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 10:32

Portieri “trondit” Flamurtarin, një muaj jashtë fushave. Ja situata e dëmtimeve te kuqezinjtë

Stivi Frashëri “trondit” Flamurtarin. Portieri 34-vjeçar u dëmtua në ndeshjen me Kukësin në transfertë, ku ai la fushën e lojës në minutën e 89-të dhe u zëvendësua nga Ariol Kaloshi. Burime pranë drejtuesve të klubit, pohuan për “Panorama Sport”, se portieri korçar ka pësuar tërheqje në muskulin kuadriceps.

frasheri portieri

Rikuperimi i Frashërit nga ky dëmtim mund të zgjasë deri në tri javë. Me sa duket, për të paktën një muaj portieri nuk do të jetë i gatshëm. Gjasat janë që ai të humbasë ndeshjet me Apoloninë, Valbonën, Pogradecin, Kastriotin dhe Lushnjën. Nga ndeshja e së dielës me Apoloninë, që do të luhet në Vlorë, Flamurtari është i detyruar që t’ia besojë portën Ariol Kaloshit. Për 24-vjeçarin lushnjar kjo nuk është hera e parë që rikthehet titullar te vlonjatët. Kaloshi edhe më parë ka qenë “gardian” me kohë të plotë i kuqezinjve, madje duke e bërë mirë detyrën. Këtë vit, objektivi është Superiorja dhe ky është një kusht i panegociueshëm. Kështu që për Kaloshin do të jetë një presion më shumë, aq më tepër që pas fitores me Kukësin, vlonjatët janë ngjitur të dytët në klasifikim dhe nuk kërkojnë ta lëshojnë këtë pozicion të favorshëm. Në këto kushte, në stol Flamurtari do të ketë edhe një portier nga akademia.

SHKURTAJ-MURATAJ-ALLMUÇA – Vlonjatët janë në një moment të mirë, teksa vijnë pas tri fitoreve radhazi. Skuadra duket e karikuar dhe humbja që në start me Burrelin është lënë pas. “Hallet” për Flamurtarin nuk kanë të sosur, ku dëmtimet duket se janë kthyer në një makth. Vasil Shkurtaj dhe Ilir Allmuça janë të dëmtuarit e radhës. Të dy kanë pësuar tërheqje. Sulmuesi Shkurtaj dhe mbrojtësi Allmuça, sipas burimeve paranë klubit, pritet që të rikuperohen për dy javë. Ata humbasin ndeshjen me Apoloninë kësaj jave dhe me Valbonën, që luhet javën e ardhshme.

Shanset janë që vlonjati dhe tiranasi të kthehen për ndeshjen me Korabin, që luhet në transfertë më 5 tetor. Një tjetër mungesë e rëndësishme është Valentino Murataj. Mesfushori i qendrës ka ardhur i dëmtuar nga Partizani. Ai ka probleme me ligamentin krocitat. Në takimin me Vorën që u luajt në Vlorë, u aktivizua pak minuta, duke u futur në fushë në minutën e 84-të. Me Kukësin ai nuk u grumbullua, për shkak se nuk kanë dashur të rrezikojnë. Për momentin nuk ka një informacion të saktë se kur Murataj mund të jetë gati.

RIKUPERIMET – Dy lojtarë të tjerë tashmë janë rikuperuar tërësisht. Albi Alla nuk ka më probleme dhe është gati për të qenë nën urdhrat e trajnerit Andrea Agostineli. Gjithashtu, probleme nuk ka as për Huan Bolanos. Qendërmbrojtësi i kaloi të gjitha testet mjekësore dhe nuk ka më shqetësim për të. Madje, Bolanos ka arritur që të fitojë edhe një vend të sigurt në formacion.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"