Praga flet shqip sot, derbi kuqezi në përballjen e Champions
Përpara ndeshjes do të përqafohen dhe do të përshëndeten shqip, ndërsa për 90 minuta do të jenë rivalë, secili për interesat e tij. Qazim Laçi dhe Indrit Tuci mirëpresin sot në mbrëmje Kristjan Asllanin, në ndeshjen e parafundit të fazës së ligës në Champions.
Pa harruar edhe dy shqiptarët e Kosovës, Rrahmami dhe Krasniqi. Një sfidë shumë e rëndësishme për llogaritë e kualifikimit për më tej, ku zikaltrit kanë detyrimin që të marrin 3 pikët për të mos i lënë asgjë rastësisë dhe ecurisë së skuadrave të tjera. Europa do të ketë ngjyra kuqezi sot në mbrëmje, ku futbollistët shqiptarë shpresojnë që të kenë rol protagonisti.
DERBI KUQEZI- E sigurt është që Qazim Laçi do të jetë titullar në këtë ndeshje. Tashmë nuk është risi sepse në këtë sezon ka fituar me meritë rolin në mesfushë, ku ka shënuar edhe një gol në këtë Champions. Prezenca e tij në konferencën për shtyp përpara mediave bashkë me trajnerin lë pak dyshime për prezencën nga minuta e parë kundër kampionëve të Italisë. Tuci pritet që të jetë në stol për këtë ndeshje.
ASLLANI GATI- Ditën e djeshme Kristjan Asllani ka arritur që të fitojë ndjeshëm terren ndaj Piotr Zielinskit për ta nisur sfidën në Pragë si titullar. Mesfushori i Kombëtares shqiptare në fakt ka qenë në balotazh gjatë këtyre ditëve dhe polaku luante fort kartën e të qenit lojtar me më shumë eksperiencë, edhe pse aty përpara mbrojtjes nuk është në rolin e tij natyral.
Mirëpo përpara nisjes në Çeki, “Sky” ka raportuar se Asllani do të jetë sërish titullar, nisur nga fakti që ka zhvilluar një ndeshje shumë pozitive kundër Empolit në kampionat dhe vjen nga një moment i mirë në aspektin psikologjik. Ndërkohë që trajneri Inzagi ka menduar nga një ndryshim për çdo repart, ku në mbrojtje rikthehet Bastoni për të lënë në stol Karlos Auguston.
Reparti do të plotësohet nga Pavar dhe De Vraj, ndërsa mesfusha përveç Asllanit me Barelën dhe Mkitarian. Armeni është një rikthim shumë i rëndësishëm për formacioni zikaltër. Nga krahët do të rreshtohen Dumfris bashkë me Dimarkon, ndërsa për herë të parë në Champions do të luajnë Lautaro Martinez bashkë me Markus Turam. Duket e çuditshme për kjo është ndeshja e parë që e nisin së bashku. Inzagi e di shumë mirë sa e rëndësishme është kjo ndeshje, prandaj kërkon maksimumin për të siguruar kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ave.
GENTJAN ALINANI -PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"