Premier Liga ngre sot siparin me Junajtid-Fulham, Ten Hag: Duam trofe, objektivat e klubit nuk ndryshojnë kurrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2024 | 13:35

Premier Liga ngre sot siparin me Junajtid-Fulham, Ten Hag: Duam trofe, objektivat e klubit nuk ndryshojnë kurrë

Futbolli i Premier Ligës rikthehet sonte në mbrëmje, ndërsa Mançester Junajtid nis sezonin e tyre në shtëpi ndaj Fulhamit, me Erik ten Hagun që synon të harrojë dështimet e sezonit të kaluar.

Erik-ten-Hag-Man-Utd

“Djajtë e Kuq” e përfunduan sezonin e tyre 2023- 24 duke u renditur në vendin e tetë, rezultati i tyre më i keq në historinë e Premier Ligës, përpara se fitorja në finalen e Kupës FA ndaj rivalëve të Mançester Sitit, të shpëtonte Ten Hagun nga shkarkimi. Junajtid po e ngre siparin e sezonit tyre të Premier Ligës në shtëpi për të tetin sezon radhazi dhe është skuadra e parë që e bën këtë në historinë e kompeticionit. Por pasi fitoi në “Old Trafford” sezonin e kaluar, skuadra e Marko Silvës është në kërkim të dy fitoreve radhazi ndaj Junajtidit për herë të parë në Premier Ligë.

Junajtid ka bërë 4 afrime deri tani në merkato, Joro, Zirkze, De Ligt, Mazraui, por Ten Hag tha në konferencën e djeshme se merkato e “djajve” nuk është mbyllur: “Mundësitë janë atje. Nuk do të blejmë lojtarë për të zëvendësuar kë nuk kemi në dispozicion, por nëse ofrohet një mundësi e mirë. Ne do të mundohemi të hedhim në fushë formacionin më të fortë që kemi. Afrimet e reja janë në dispozicion për këtë ndeshje të parë dhe Herri Meguajër do të jetë gjithashtu në skuadër”.

Një problem që shqetëson është dëmtimi i Ljuk Shout: “Ai do të kthehet në një afat të shkurtër, nuk kërkon shumë kohë. Ne presim me padurim sigurisht për të. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin tonë, kështu që ne duam ta kthejmë atë sa më shpejt të jetë e mundur, por ne nuk mund ta detyrojmë këtë proces”. Por cili do të jetë rezultati që ai do të kërkojë këtë sezon? “Nuk është shumë i ndryshëm nga objektivat tanë. Ne e dimë drejtimin tonë. Tani duhet të integrojmë lojtarët e rinj ku ne mendojmë se ata mund të përmirësojnë nivelet e skuadrës dhe ta nisim nga atje. Pritshmëritë tona janë gjithnjë shumë të larta, ne duam të luftojmë për trofe”.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"