Premtimi i mesfushorit Januzi: Lushnja do të jetë shumë e fortë këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2024 | 12:03

Premtimi i mesfushorit Januzi: Lushnja do të jetë shumë e fortë këtë sezon

Lushnja do të luajnë sot, ora 13:30, në “Roza Haxhiu” turin e parë të Kupës kundër Orikut. Sikurse dhe në edicionin e kaluar do të jetë një ndeshje e vetme, kështu që gjithçka do të zgjidhet në “Roza Haxhiu”. Lushnjarët duken të motivuar për të marrë kualifikimin në shtëpi, por vëmendja është te kampionati.

apolonia lushnja

Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori Mal Januzi shprehet: “Te Lushnja vij pas një eksperience disavjeçare te moshat e Partizanit dhe tek ekipi i parë. Ishte dëshirë e imja që të jem pjesë e këtij klubit. Lushnja më jep mundësinë që në këtë moshë të shpreh potencialin që kam, një ekip me histori. Jam ndjerë i mirëpritur këtu. Jemi një ekip që luajtëm futboll të bukur dhe më përshtatet me stilin e lojës sime. Jam i gatshëm të jap maksimumin dhe të bëj gjithçka, që Lushnja të arrijë synimin. Po stërvitem fort dhe po punoj që të arrij aty ku unë synoj.

Aktualisht, të gjitha ndeshjet për ne janë njësoj. Do t’i marrim një e nga një me vlerësimin e duhur, për secilën prej tyre. Kjo është një ndeshje e radhës, që duhet vlerësuar në maksimum si gjithë të tjerat. Në aspektin personal, jam i gatshëm të jap gjithçka dhe të shfaq më të mirën time. Kemi një ekip me potencial dhe këtë po e shfaqim. Çdo ndeshje ka specifikat e veta. Mendoj se kemi bagazhin e duhur për t’i përballuar deri në fund të sezonit. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe duhet të bëjnë durim. Shumë shpejt do e shohin atë që kërkojnë nga ne. Lushnja këtë vit do të jetë shumë e fortë. Synojmë të jemi lart në tabelë dhe nuk i trembemi askujt”, deklaroi mesfushori Mal Januzi.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"