“Pres të jemi ‘të sëmurë’ te përqendrimi”, Inzagi: Interit i duhet një mbrojtës, ja si e mbrojmë sërish fronin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2024 | 10:20

“Pres të jemi ‘të sëmurë’ te përqendrimi”, Inzagi: Interit i duhet një mbrojtës, ja si e mbrojmë sërish fronin

Në shtëpinë e kampionëve të Italisë ka nisur misioni “debutim”. Trajneri Simone Inzagi dhe skuadra e Interit janë duke punuar me detaje për ndeshjen e së shtunës kundër Xhenoas.

inzagi

Numri një i pankinës zikaltër ka folur për “Sky Sport”, duke thënë se të gjithë presin me padurim për rifillimin e kampionatit. “Sigurisht që po presim për të rifilluar garën. Kemi bërë një punë të mirë që nga 13 korriku. Të rinjtë janë integruar shumë mirë, por duhet vëmendje maksimale”, ka thënë fillimisht trajneri.

Fanella duket se do të peshojë pak më shumë këtë sezon, nisur nga fakti që është shtuar përgjegjësia.

Pa diskutim. Ylli i dytë në fanellë ka qenë diçka magjike, por këtë vit duhet që të jemi më të fokusuar sesa vitin e kaluar. Djemtë kanë qenë të jashtëzakonshëm, por ka gjithmonë vend për përmirësim dhe pikërisht për këtë kemi punuar gjatë këtyre ditëve në “Appiano”.

Në deklaratat e para keni kërkuar vëmendje maksimale nga një skuadër që ka fituar titullin. Çfarë nisjeje prisni të shtunën?

Unë pres përqendrim nga skuadra. Jemi kampionët e Italisë dhe në fakt vitet e fundit të gjitha skuadrat që kanë dashur ta mbrojnë titullin kanë pasur probleme. Kam folur me djemtë për këtë temë Duhet të kemi një përqendrim të frikshëm në objektivat tanë.

Cila është receta për të rikarikuar një grup fitues? Cili është hapi i fundit që duhet të bëni?

Sigurisht, për këtë fakt u kam dhënë djemve ndonjë ditë pushim më shumë. Vitin e kaluar ata më dhanë gjithçka, ndërsa këtë sezon luajtën edhe me kombëtaret. Jam i lumtur për mënyrën se si u prezantuan. Kam gjetur një grup fantastik djemsh. Të shtunën rikthehemi në fushë dhe ka shumë optimizëm për debutimin.

Keni pasur edhe disa dëmtime. Çfarë ju shqetëson në nivelin numerik dhe të organikës që keni në dispozicion? Keni alternativa për t’i mbushur boshllëqet?

Kemi konfirmuar bllokun e skuadrës së vitit të kaluar me 3 afrime cilësore dhe të nevojshme. Kemi siguri, pavarësisht se kemi pasur ndonjë problematikë me Arnautoviçin dhe Taremin. Ky i fundit është gati, po ashtu edhe Zielinski. Do të mbetet jashtë De Vraj, të cilit i duhet ndonjë ditë më shumë sesa të tjerët. Por janë gjëra që ndodhin në një fillim sezoni, por të administrueshme.

Në aspektin e merkatos, a ka nevojë skuadra për diçka?

Merkatoja është e hapur deri në fundin e muajit. E dimë që kemi një mungesë në repartin e mbrojtjes nisur nga dëmtimi i Bjukenën. Jemi duke folur me drejtuesit, por kam fatin që kam drejtues të fortë. Kam njohur edhe pronarët e rinj të klubit, të cilët kanë ambicie ashtu si të gjithë ne. Presidenti Marota, Auzilio, Baçin, Zaneti dhe Ferri janë gjithmonë çdo ditë me skuadrën. Të shohim nëse nga tani deri në fundin e merkatos do të afrojmë ndonjë lojtar.

Le të flasim pak për 3 lojtarët e ardhur tani. Çfarë ideje keni krijuar për Zielinskin? Mund të ketë të njëjtin ndikim si Mkitarian?

Zielinski është një lojtar me një teknikë të jashtëzakonshme. E donim dhe do të na japë një dorë të madhe. Nëse jo për të shtunën, për ndeshjen e ardhshme. Jemi duke parë që të rikthehet sa më shpejt me grupin. Taremi ka shumë eksperiencë në nivelin ndërkombëtar, ku ka shënuar shumë gola me kombëtaren dhe në Portugali. Është përfshirë shumë mirë me ne. Martinez është një portier dhe bashkë me Zomerin në krah do të rritet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"