Presidenti tregon pengjet e fazës së parë dhe ndërhyrjet në janar. Tërbuni në “skanerin” e kryebashkiakut Doda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2024 | 22:05

Presidenti tregon pengjet e fazës së parë dhe ndërhyrjet në janar. Tërbuni në “skanerin” e kryebashkiakut Doda

Tërbuni, pas dy fitoreve rresht, është optimist për të arritur edhe të tretën. Këtë radhë, pukjanët do të luajnë në transfertë me ekipin e Murlanit dhe e kanë vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Presidenti i klubit njëkohësisht kryebashkiaku i Pukës, Rrok Doda, thotë se është i kënaqur me paraqitjet e ekipit në dy takimet e fundit dhe se beson te fitorja ndaj Murlanit.

rrok doda

“Duhet të jemi të kujdesshëm në çdo ndeshje dhe të arrijmë të marrim atë që ne na nevojitet. Pengu im është lënia e 6 pikëve në përballjet me Sopotin dhe Luzin. Sikur t’i bënim tonat ato gjashtë pikë, nuk do ta vinim fare në diskutim objektivin. Gjithsesi, nuk jemi dorëzuar dhe do të luftojmë për t’ia dalë deri në fund të kampionatit”, tha Doda, i cili pohoi se ecurinë e fazës së parë do ta analizojë bashkë me trajnerin, drejtorin teknik dhe shefin e klubit.

Sipas tij, është e vështirë për të gjetur lojtarë cilësorë në merkaton e janarit, por ata kanë piketuar disa. “Do të hyjmë në merkato, por boshti i ekipit nuk do të preket. Ekipi do të jetë më i fortë dhe do të shfaqet me një tjetër pamje në pjesën e mbetur të kampionatit. Ndërkohë, do të ndërhyhet edhe në ambientet e stadiumit për të bërë disa përmirësime”, e mbylli kryebashkiaku Doda.

GANI PEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"