Pret telefonatën e drejtuesve, Kristaq Mile: Jam gati të drejtoj Tomorin në Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2024 | 17:40

Pret telefonatën e drejtuesve, Kristaq Mile: Jam gati të drejtoj Tomorin në Kategorinë e Dytë

Në Berat fitet vetëm për krizën që po kalon skuadra e Tomorit, çka ka bërë që opinioni qytetar dhe ai futbolldashës të kalojë në plan të dytë problemet e tjera. “Panorama Sport” ka kontaktuar ish-trajnerin e mirënjohur beratas, Kristaq Mile, i cili aktualisht është kërkuar me ngulm nga tifozët dhe specialistët vendas, që të marrë përsipër drejtimin e Tomorit.

Kristaq Mile Tomori

Sipas tyre, ai ka aftësinë e duhur për ta nxjerrë skuadrën nga kriza ku është zhytur momentalisht. Ish-futbollisti i Shkëndijës së Tiranës, Tomorit dhe ekipit Kombëtar, ish-tekniku më jetëgjatë dhe emblematik i Tomorit të famshëm nënkampion i vendit në sezonin 1999 – 2000, për “Panorama Sport” fillimisht u shpreh për situatën: “Po e ndjek me shumë shqetësim këtë situatë krejt të pazakontë, dramatike e të pafalshme për një skuadër si Tomori dhe pasojat po i vuan një qytet si Berati. Kriza rëndon direkt mbi brezat e ardhshëm.

Për sa i përket fajtorëve dhe përgjegjësive që dalin në këtë rast, personalisht jam kundër opinionit dhe ‘rrymës’ që fajëson kryebashkiakun Ervin Demo. E them këtë, pasi kryebashkiaku ka plotësuar çdo detyrim ndaj Tomorit, aq sa ka dhënë për këtë vit shifrën rekord prej 370 milionë lekësh për futbollin në Kategorinë e Parë. Për mua, përgjegjësia duhet kërkuar te njerëzit që paguhen nga bashkia për të menaxhuar futbollin, në veçanti ata që drejtuan dhe investuan nga periudha e gjysmës së dytë të kampionatit kaluar”.

GATI TË RIKTHEHEM- “Për sa i përket rikthimit tim të mundshëm në krye të Tomorit, po e deklaroj hapur dhe me shumë sinqeritet. Jam i gatshëm t’i shërbej skuadrës sime të zemrës në çdo kohë, edhe në një moment krize të jashtëzakonshme si kjo. Unë jam ‘pionier’ i futbollit beratas si trajner në 34  vitet e fundit. Jam krenar që me familjet e nderuara Çobo – Toto i kemi dhënë Beratit një titull që na u mohua nga FSHF-ja e kohës. Tani pres një telefonatë nga klubi dhe kryebashkiaku Ervin Demo, që të rikthehem pas pesë sezoneve në krye të skuadrës, që për koincidencë, përkon me sezonin që e kam ngjitur Tomorin nga e Dyta në Kategorinë e Parë.

Këtë detyrim e kam për qindra qytetar që më kontaktojnë çdo ditë fizikisht dhe në telefon, por edhe për emra të nderuar si Kovaçi, Matrapazi, Dura, Gjata, Kadëna, vëllezërit Cilingiri etj, të cilët më kërkojnë me insistim rikthimin. E pranoj këtë sfidë, por me kushtin që gjithçka për sa i përket organizimit të Tomorit, puna të nis brenda muajit gusht”, përfundon Kristaq Mile.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"