Prindërit si autorë, libër i veçantë për Erjon Bogdani/ Historia unike e bomberit në mbi 1000 faqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2023 | 22:07

Prindërit si autorë, libër i veçantë për Erjon Bogdani/ Historia unike e bomberit në mbi 1000 faqe

Një libër shumë i veçantë për Erjon Bogdanin është tashmë në treg! Është unik për një fakt specifik, pasi autorët janë dy prindërit e tij dhe mbi të gjitha dy profesorë. Libri quhet “Erjon BogdaniBiografia” dhe në italisht citohet “Una Favola”, që do të thotë “Një përrallë”, i shkruajtur nga Dr. Pranvera Bogdani dhe Fatmir Bogdani.

BOGDANI 1

Mbi 1000 faqe, një libër voluminoz, tejet interesant, që të informon me shumë detaje, për atë çfarë bëri, shfaqi dhe realizoi në fushat e futbollit të Shqipërisë dhe gjithkund ku luajti golashënuesi më i mirë i Kombëtares. Ishte 14 prill 1977, dita kur solli në jetë binjakët Adrian dhe Erjon Bogdani.

Si adoleshentë kanë qenë nxënës në shkollën “Avni Rustemi” të kryeqytetit, por me të dhëna për t’u bërë basketbollistë të mirë, falë shtatlartësisë, ndonëse Erjoni futbollin e pëlqente më shumë. Gjithçka do të merrte tjetër drejtim kur u zbulua nga trajneri Ilir Spahiu, i cili do të trokiste në derën e familjes Bogdani për ta afruar në ekipin e tij. Stërvitjet e para i bën bashkë më vëllain binjak. Është i talentuar dhe vlerësohet nga specialistët. Shpejt kalon me ekipin e të rinjve të Partizanit me trajner Pëllumb (Luke) Shaqirin. Këtu karriera e tij startoi për të mos u ndalur më:

Në ekipin e parë të Partizanit me trajner Sulejman Starovën dhe në kombëtaren U-21, i thirrur nga Astrit Hafizi. Menjëherë pas tij është Neptun Bajko, që e merr me përfaqësuesen e madhe. Në vitin 1993 Erjoni do të stërvitej te Sampdoria, e më pas në akademitë e ekipeve si PSG, Eintraht Frankfurt dhe gjithashtu të OFI në Greqi. Kontrata e parë profesioniste e Bogdanit do të realizohet me turqit e Gençlerbirligisë, për t’u transferuar më pas te NK Zagreb në Kroaci.

Në Serinë A italiane do të luante për herë të parë në vitin 2000, pikërisht në janar me Rexhinën. Qëndroi 4 vite në Rexho Kalabria, ku luan me Pirlon, ndërsa është autor i disa golave vendimtarë, deri kur edhe Bruno Picul do të shkruante: “Erjon Bogdani nuk është “ufo”, është futbollist, djalë i mirë shqiptar”.

Pastaj edhe me ekipin e yjeve i grumbulluar nga trajnerët Sven Goran Erikson dhe Fabio Kapelo, një skuadër me lojtarë të përzgjedhur të huaj të Serisë A në një miqësore me kombëtaren e Italisë. Luan në krah me Ronaldo Fenomenin, Shevçenkon, Bierhofin, Zidanen etj. 13 vite në Itali, një karrierë e shkëlqyer, duke veshur fanellat e Rexhinës, Salerintanës, Veronës, Sienës, Livornos, Çezenës, me trajnerët Kolombo, De Kanio, Del Neri, Orsi, Kamoleze, Xhanpaolo, Jokim, Di Karlo, Kozmi dhe deri te Pioli e Konte.

Pastaj karriera në Kombëtare, protagonist absolut i saj, nga trajnerët shqiptarë Neptun Bajko, Hito Hitaj, Astrit Hafizi, Farruk Sejdini, Mehdin Zhega, Sulejman Starova, Sulejman Demollari, Shpëtim Duro, deri tek ata të huaj: Dosena, Brigel, Bariç, Han, Kuzhe dhe De Biazi, me të cilët luajti dhe punoi, duke qenë edhe në staf. Autori i 18 golave spektakolarë me fanellën kuqezi është tashmë në një libër interesant, punuar me shumë kujdes dhe përkushtim. Aty përshkruhet me hollësi veprimtaria e njërit prej futbollistëve më të shquar dhe më popullorë, përfaqësues i një brezi të jashtëzakonshëm, që kanë luajtur e luajnë në vende të ndryshme të Europës.

Erjoni është një faqe e rëndësishme e historisë së futbollit shqiptar, protagonist në kampionatet kombëtare dhe me ekipin përfaqësues.

LIBRI

Një libër që të befason, shoqëruar me një punë kolosale, foto, angazhim disavjeçar të prindërveautorë, për të pasqyruar saktë karrierën e djalit të tyre, veçanërisht atë në Itali: me mbi 300 ndeshje të zhvilluar në Serinë A dhe B, Kupë, me rekorde golash, 17 në Serinë B me Veronën dhe 11 në Serinë A me Sienën. Një libër që të tërheq nga faqja e parë deri tek e fundit. Një rikthim emocional, një histori e përjetuar dhe e përcaktuar simbolikisht edhe në kopertinën e librit: “Una Favola”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"