“Prisni spektakël kundër Vllaznisë”, Ardit Hila: Kemi “uri”, duam kreun e Superiores
Elbasani ka shansin “e artë” këtë të diel që të mund të ngjitet në krye të klasifikimit. Që kjo gjë të ndodhë, duhet të mundin Vllazninë në “Elbasan Arena”.Një përballje që në kampin verdheblu është vlerësuar maksimalisht, për vetë faktin se duan të nisin një cikël fitoresh dhe të shfrytëzojnë sadopak edhe faktorin fushë. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori Ardit Hila flet në prag të kësaj sfide delikate, duke e konsideruar të rëndësishme si një ndeshje kampionati, ndonëse në fund mund të vlejë edhe në aspektin moral, sepse marrin kreun.
“Së pari, më vjen mirë që është kthyer të luhet një klasike midis këtyre dy qyteteve, që jetojnë me futbollin dhe shpresoj që tifozët të jenë të shumtë për ta shijuar. Vlerat e Vllaznisë dihen nga të gjithë, një nga skuadrat më të mira dhe më me traditë në futbollin shqiptar. Për ne është një ndeshje radhe kampionati ku normalisht do të përpiqemi të marrim maksimumin në fushën e lojës, por gjithnjë me kujdes dhe qetësi. Jemi stërvitur mirë gjatë javës dhe kemi një moral të lartë, ndaj do të përpiqemi për më të mirën”, u shpreh fillimisht 31-vjeçari.
KRYESIMI – Sa i përket faktit që një fitore i jep Elbasanit kryesimin, Hila thekson se për momentin kjo mund të jetë një stimul moral më shumë. Sipas tij, nuk është as koha dhe momenti të flitet për kreun, ku dihet që ende nuk është mbyllur faza e parë.
“E vërtetë është që ne mund të marrin kryesimin nëse i mundim, por të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që nuk mund të shihet renditja ende pa u mbyllur faza e parë. Shërben si një stimul më shumë normalisht, sepse të jesh në krye do të thotë të kesh bërë mirë, por vetëm kaq. Ky është një kampionat shumë i fortë me shumë skuadra në garë dhe në fund fare çdo ndeshje vlen tri pikë, pavarësisht se ndaj kujt luan. Ne duam të japim gjithnjë më të mirën tonë, të kënaqim tifozët që po na mbështesin gjithnjë e më shumë dhe nëse kryesimi vjen, mirë se të vijë, por nuk e kemi fokusin te renditja për momentin”, vijoi më tej mesfushori i verdhebluve.
URIA – Nëse një skuadër dhe një qytet si Elbasani ka diçka më shumë sesa ekipet e tjera këtë edicion, për Ardit Hilën ajo është së pari uria për të fituar dhe bërë gjëra të mira në këtë qytet.
“Çdo skuadër ka ambiciet e veta kur hyn në një kampionat dhe kërkon t’i arrijë ato. Siç e thashë, skuadrat nuk kanë shumë diferenca me njëra-tjetrën dhe këtë e kanë treguar edhe këto javë të para. Ne, mund të them se kemi më shumë uri, duke qenë se vijmë pas disa vitesh të vështira dhe qyteti mezi e ka pritur këtë rikthim. Të mos harrojmë se kemi një mbështetje të madhe nga tifozët, të cilët na ndjekin kudo dhe janë si lojtari i 12-të i yni, duke na dhënë një stimul më shumë për të tentuar të marrim gjithnjë më të mirën”, mbylli prononcimin e tij për gazetën një nga titullarët e skuadrës elbasanase.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"