Pritet të qëndrojë disa muaj jashtë, dëmtimi i Bobit ndryshon planet e merkatos së Sitit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2024 | 17:00

Pritet të qëndrojë disa muaj jashtë, dëmtimi i Bobit ndryshon planet e merkatos së Sitit

Mançester Siti është tronditur pasi mësoi se sulmuesi Oskar Bob ka thyer një kockë në këmbë në prag të sezonit të ri dhe do t’i nënshtrohet operacionit. 21-vjeçari pritet që të qëndrojë për muaj të tërë jashtë fushës, pasi u dëmtua në stërvitje përpara ndeshjes hapëse të Sitit kundër Çelsit të dielën.

skysports-oscar-bobb-man-city_6657073

Norvegjezi ka shkëlqyer në fazën përgatitore të kampionëve të Anglisë dhe ishte lojtari i ndeshjes gjatë fitores në Superkupën e Anglisë ndaj Mançester Junajtdit. Pritej që Bobit t’i besohej krahu i djathtë në ndeshjen në “Stamford Bridge” dhe më pas t’i jepej një shans për ta konfirmuar pozicionin e tij në formacionin titullar të Pep Guardiolës edhe në vazhdim gjatë sezonit. Siti ende nuk e ka vlerësuar plotësisht dëmin, por burimet thanë se Bob duket se ka shmangur thyerjen më të rëndë të këmbës.

Gjithsesi, ata shpresojnë që ai të rikthehet në fushë përpara Krishtlindjes. Në ditët në vijim ka të ngjarë të ketë një afat kohor përfundimtar për mungesën. Lajmi vjen si një goditje e madhe për kampionët e Anglisë dhe tani Siti mund të rimendojë strategjinë në merkato. Ata nuk kishin gjasa të afronin një fytyrë të re sulmuese, edhe pas largimit të Julian Alvarezit tek Atletiko e Madridit, por mund të detyrohen tani të kërkojnë një sulmues anësor. Pep ka opsionet e brazilianit Savinjo dhe Bernardo Silvaës për krahun e djathtë, megjithëse ky i fundit ishte caktuar për një rol më qendror këtë sezon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"