Privatizimi i Lushnjës mbetet në vendnumëro, buxheti i miratuar nga bashkia mund të ndryshojë
Viti 2025 pritet ta gjejë të privatizuar klubin lushnjar të futbollit. APP-ja (Agjencia e Prokurimeve Publike) duhet të bëjë shpalljen e ankandit në buletin, teksa është ngritur grupi i punës, si dhe është përgatitur dosja. Për “Panorama Sport”, anëtari i Këshillit Bashkiak, Klement Çela, shpjegon situatën e procesit të privatizimit të klubit.
“Deri në këtë moment që flasim jemi në vend numëro. Ashtu siç më është përgjigjur kryetarja e bashkisë, jemi në fazën që është ngritur grupi i punës. Është përgatitur dosja, ku janë përcaktuar edhe kriteret. Dosja është depozituar në Agjencinë e Prokurimeve Publike dhe kjo e fundit do të bëjë edhe shpalljen e ankandit në buletin. Unë jam përpjekur që në çdo mbledhje të Këshillit Bsshkiak të kërkoj informacion mbi ecurinë dhe procedurën. Në buxhetin e vitit 2025, ashtu siç është bërë këto vitet e fundit, janë planifikuar 40 milionë lekë (të rinj) subvencione për klubin e futbollit, edhe pse gjatë vitit harxhohen më shumë se sa planifikohen, pasi kërkohen lekë shtesë. Këto para do të mbesin në buxhetin e bashkisë në rast se procedura e shitjes së klubit kryhet së shpejti. Kjo, sepse bashkia bën çelje të fondeve çdo muaj në bazë të kërkesave që sjell klubi i futbollit, edhe kjo sipas kryetares së bashkisë”, deklaroi Çela.
EKIPI – Lushnja është një ndër skuadrat që ka zbritur në fushë menjëherë pas ndërrimit të viteve. Verdhejeshilët vijojnë të stërviten normalisht në fushën sportive të Plugut. Për momentin priten afrime të reja te Lushnja, teksa grupi i lojtarëve, që mbyllën pjesën e parë të sezonit, është i plotë dhe po përgatit ndeshjen e fundjavës me Erzenin.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"