Privatizimi i Lushnjës, shtyhet për të hënën mbledhja e Këshillit. Ekipi beson te suksesi në Burrel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2024 | 15:55

Privatizimi i Lushnjës, shtyhet për të hënën mbledhja e Këshillit. Ekipi beson te suksesi në Burrel

Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të aksionarëve të KF “Lushnja 1930” sh.a është shtyrë për ditën e hënë. Për këtë anëtarët kanë marrë një njoftim nga Kryetarja e Asamblesë, njëkohësisht kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa.

LUSHNJA EKIPI

Sikurse është bërë e ditur pritet të miratohet “Dhënia e pëlqimit për shitjen me ankand të aksioneve të KF “Lushnja” 1930 sh.a “në masën 100%”. Çmimi minimal i shitjes së 100% të kuotave është 14,077,066 lekë.

letra

EKIPI – Lushnjarët janë në fazën përmbyllëse të përgatitjeve për ndeshjen me Burrelin në transfertë. Ata kanë barazuar me Korabin, kanë humbur me Kastriotin dhe fituar në derbin me Apoloninë, të luajtur në Fier. Tashmë verdhejeshilët kërkojnë të kenë një ecuri pozitive. Në një prononcim për “Panorama Sport” një nga titullarët e Lushnjës, mbrojtësi Endrien Magani shprehet: “Kemi pasur një ecuri të mirë në këto pesë javë. Mbetet për t’u përmirësuar shënimi i golit. Kemi mundësi të shënojmë më shumë. E vlerësojmë shumë Burrelin me të cilin do të ndeshemi në fundjavë. Kundërshtari ynë ka bërë një start të mirë në kampionat, por ne futemi në çdo ndeshje vetëm për fitore.

Skuadra do të jetë e plotë në këtë sfidë. Kemi marrë ngarkesën e duhur dhe çdo gjë për momentin është duke shkuar shumë mirë”. Lushnjarët kanë një nga mbrojtjet më të mira në kampionat. Ata kanë pësuar vetëm dy gola në ndeshjen me Kastriotin, ndërkohë që nuk kanë pësuar në asnjë nga katër ndeshjet e tjera të luajtura deri tani. Kuadratin e portës  e mbrojtur sistematikisht “gardiani” 22-vjeçar Saugli Alimuçaj. Vlonjati po bën një sezon shumë të mirë. ”Është një punë e mirë nga e gjithë skuadra. Normalisht, që ndjesia më e mirë për një portier është kur nuk pëson gol”, tha portieri Alimuçaj për “Panorama Sport”.

Alban Alushi – PANORAMASPORT.AL        

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"