Problemet e Tiranës me drejtësinë, akt ekspertim i ri dhe 60 ditë kohë për Prokurorinë
Akuzat e Prokurorisë Tiranë, ndaj KF Tiranës dhe Refik Halilit vazhdojnë të mos vërtetohen. Në datën 21 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ktheu aktet organit të akuzës mbi procedimin penal ndaj klubit bardheblu dhe administratorit Refik Halili.
Së pari, prokurorja Eloida Goxhi në 21 nëntor 2024, ka kërkuar pushimin e procedimit penal për veprën penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal. Kjo do të thotë se pozita e presidentit dhe klubit Tirana është lehtësuar. Nga ana tjetër, prokurorja ka paraqitur një kërkesë për dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.1755, i vitit 2017, me të pandehur Refik Halili dhe personi juridik “Klubi i Futbollit Tirana”, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180/3 i Kodit Penal.
VENDIMI – Gjyqtari i seancës paraprake, Edvan Veçani pasi ka dëgjuar palët, prokurorin dhe palën e marrë të pandehur, dhe me kërkesën e kësaj të fundit, ka vendosur t’i kthejë aktet në organin e akuzës. “Gjykata vlerëson se në rastin konkret, hetimet e kryera nga organi i prokurorisë nuk janë të plota. Nga vlerësimi në tërësi i akteve të ndodhura në fashikullin e hetimeve paraprake dhe kërkimet e mbrojtjes në seancën gjyqësore, vlerësohet se organi i prokurorisë nuk ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në kuadër të grumbullimit të provave për të provuar faktin penal në ngarkim të të pandehurve Refik Halili dhe subjektit “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a. Në këto kushte Gjykata vlerëson se nga ana e prokurorisë duhet të administrohet “RaportRikontrolli Përfundimtar” i datës 14.10.2021 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, që i përket shoqërisë “Klubi i Futbollit Tirana”, sh.a”, shkruhet në vendim.
DETYRAT – Gjyqtari nuk e ka lënë me kaq çështjen, por i ka caktuar katër detyra organit të akuzës. “Në vijimësi të hetimeve, bazuar në “Raport-Rikontrolli Përfundimtar” të datës 14.10.2021 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, nga ana e prokurorisë duhet të kryhet një akt i ri ekspertimi kontabël në lidhje me pikat si më poshtë:
Të përcaktohet nëse subjekti “Klubi i Futbollit Tirana” sha me Nipt L12220027I ka realizuar të ardhura të padeklaruara në organin tatimor, nëpërmjet veprimtarisë formale dhe informale prej vitit 2013 e në vijim? Nëse po, të përcaktohet vlera e fshehur e të ardhurave nga tatimpaguesi në fjalë për vitin 2013 e në vijim.
Të përcaktohet vlera e papaguar e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që ka fshehur nga mosdeklarimi i punonjësve nga ana e këtij tatimpaguesi nga viti 2013 e në vijim. Të përcaktohet për secilin vit objekt hetimi, vlera e detyrimeve tatimore të shmangura (e veçuar nga kamatëvonesat dhe gjobat tatimore) referuar njoftim vlerësimeve të organeve tatimore nga viti 2013 e në vijim (Tatim fitimi, TAP, TVSH, Sigurime shoqërore dhe shëndetësore)”, shkruan vendimi.
Në fund të vendimit, gjykata ka çmuar se aktet duhet t’i kthehen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të vazhduar hetimet, për realizimin e detyrave të cituara më sipër. Hetimet duhet të përfundojnë brenda 60 (gjashtë dhjetë) ditëve nga dita që vendimi merr formë të prerë. Të shohim se çfarë do të sjellë viti i ri…
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"