“Pyka” nuk gjen rehat, goli si mision i pamundur te Kombëtarja! Ja shifrat e sulmuesve
Silvinjo ka kompletuar 20 ndeshje në krye të Kombëtares shqiptare. Mes tyre, trajneri ka drejtuar 15 takime zyrtare dhe 5 miqësore, me një bilanc: 9 fitore, 4 barazime dhe 7 humbje.Një pjesë e mirë e këtyre ndeshjeve, flasim për fitoret janë zgjidhur nga lojtarët anësorë, ose të linjave të dyta, ku shpesh ka shënuar Asani, Bajrami apo edhe Asllani që vjen pak më mbrapa. Ajo që vihet re dhe mbetet disi shqetësuese, është sulmuesi “pykë” që Kombëtarja përdor. Që pas tërheqjes së Cikalleshit, ky pozicion nuk po gjen rehat dhe sulmuesit janë ndërruar aq shpesh.
Në një formë kjo u ka minimizuar atyre shanset edhe për të gjetur golin me fanellën kuqezi. Duke përjashtuar ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin dhe Lihtenshtejnin, dy kombëtare modeste që u përballëm para Europianit dhe ku shënoi si Manaj dhe Broja, në vijim, asnjë sulmues nuk po ndjen aromën e golit. Në Europian ishin Bajrami, Laçi dhe Gjasula që shënuan, pavarësisht se në ndeshjen e parë luajti Broja titullar dhe dy të tjerat Manaj.
Rei pati një vazhdimësi edhe pas Europianit duke udhëhequr majën e sulmit, por nuk arriti dot që të tundte rrjetën në ndonjë ndeshje. Asistoi me Ukrainën dhe u “rraskapit” me Gjeorgjinë në Tiranë. Më pas ai dëmtim bëri që të mbetej jashtë si në tetor dhe tani. Ndërkohë provat vijuan edhe me Dakun, por sulmuesi nuk la shenjë në transfertën çeke. Vendin e tij në ndeshjen e dytë radhazi jashtë me Gjeorgjinë e zuri Tuci i cili u thirr në moment të fundit për shkak të emergjencave me dëmtimet e Manajt dhe Uzunit. Si ndeshje e parë nga fillimi Tuci e justifikoi grumbullimin, madje duke asistuar për Asllanin.
Ndërkaq, edhe këtë herë, janë po të dy sulmuesit që do të alternohen në ndeshjet e nëntorit. Praktikisht, rotacioni është prezent prej një farë kohe në Kombëtare dhe goli i fundit që u shënua prej sulmuesit kryesor, mban firmën e Sokol Cikalleshit me penallti kundër Moldavisë dhe bëhet fjalë për ndeshje zyrtare e jo miqësore. Me këtë ritëm, vështirë se do të këtë dikush mundësinë që të thyejë rekordin e Erjon Bogdanit si golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares shqiptare me 18 gola.KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"