Quajeni “Baby Apolonia”, duket qartë strategjia e drejtuesve të klubit për këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2024 | 15:07

Quajeni “Baby Apolonia”, duket qartë strategjia e drejtuesve të klubit për këtë sezon

Apoloninë e këtij sezoni, mund të quhet ndryshe “Baby Apolonia”. Një skuadër e mbushur tërësisht me djem të rinj, ku më “të moshuarit” janë vetëm nga 23 e 24 vjeç. Bëhet fjalë për Aldo Bushin, Ersildjo Asllanajn, Altin Kananajn, Rubin Hebejën dhe Serjan Repajn. apolonia

Të gjithë lojtarët e tjerë janë nën këtë moshë. Kjo tregon edhe një herë qartë strategjinë e drejtuesve fierakë për të paktën edhe këtë sezon. Klubi fierak është investuar fort me sa duket te kriteri i moshës, duke u besuar më shumë freskisë dhe dëshirës së lojtarëve në krahasim me eksperiencën. Një fakt i tillë lidhet edhe me uljen e shpenzimeve, por edhe pamundësinë që në ditët e fundit të merkatos të afronin lojtarët që kërkonin, pasi pjesa më e madhe e tyre ishin të sistemuar në klube të tjera. Tani, me këta djem të rinj mund të thuhet se klubi ka vënë një “bast” të madh për të arritur objektivat, ku primarja është që të sigurohet sa më parë “play off”-i, si mundësia e dytë për t’u ngjitur në Superiore.

Apolonia nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, pasi në 7 javë kanë marrë 5 pikë  dhe janë pozicionuar në fundin e tabelës. Është ende fillimi i sezonit dhe kohë për rikuperim ka mjaftueshëm, por shenjat e deritanishme flasin për një sezon të komplikuar për ekipin e trajnerit Sedat Pajaziti. Nëse situata nuk ndryshon, Apolonia jo vetëm që nuk mund të pretendojë përfshirjen në “play off” si sezonin e kaluar, por do ta ketë të vështirë edhe mbijetesën në Kategorinë e Parë. Kthesa është detyrim për fierakët që në ndeshjen e radhës me Burrelin në shtëpi. Tri pikët do të shërbenin si një shtysë për të dalë sa më shpejt nga kriza e rezultateve.

Hilmi Saliu-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"