Rabiu i jep shpresë Skënderbeut: Tirana e fortë, por fusha nuk është më një alibi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2024 | 21:50

Rabiu i jep shpresë Skënderbeut: Tirana e fortë, por fusha nuk është më një alibi

Ndeshja kundër Tiranës është sprova e radhës për Skënderbeun që kërkon të vijojë ecurinë pozitive. Pas rikthimit te fitorja në ndeshjen e fundit kundër Laçit, korçarët shkojnë me moralin lart në një transfertë delikate, siç është ajo e kryeqytetit. Nga ana tjetër, gjejnë Tiranën ndoshta jo në ditën e saj më të mirë. Ndaj edhe për këtë bardhekuqtë kërkojnë të përfitojnë për t’u kthyer me pikët e plota nga kjo transfertë.

rabiu

Për mesfushorin nigerian, Mario Rabiu, ndeshja e fundit hoqi një peshë të madhe të ngarkesës psikologjike tek ekipi që vuante rezultatet e marra në këtë fillim sezoni. Ndaj me psikologjinë dhe moralin e përmirësuar ndjeshëm grupi duket i fokusuar vetëm te vijimi i rezultateve pozitive. “Ndeshja kundër Laçit ishte një ndeshje specifike, ku nuk kishte rëndësi loja, por pikët e plota që duhet të merrnim me çdo kusht. Fillim sezoni jo i mirë dhe jo ai që kishim menduar të gjithë na solli një ngarkesë psikologjike dhe morale, ndaj edhe ndeshja u pa se kishte vështirësinë e vet.

Në kushte të tilla fitorja ishte ajo që bënte më shumë punë se gjithçka. Me arritjen e këtij objektivi, grupi është më i qetë dhe presioni është larguar disi. Flas për presionin negativ që vjen si pasojë e rezultateve pasi çdo ditë ka presion sa i përket asaj që na kërkohet dhe objektivave të grupit. Po kjo fitore na dha besim dhe moral që duhet ta shfrytëzojmë në maksimum për në ndeshjen e radhës”, theksoi fillimisht Mario Rabiu.

TIRANA – I ndalur më pas te ndeshja e fundjavës kundër Tiranës në transfertë, mesfushori i Skënderbeut është i bindur se ekipi do të hyjë në fushë me mentalitetin e duhur dhe do të japë më të mirën. Për të fitorja duhet të jetë objektivi i Skënderbeut edhe në këtë takim me qëllim që të vijojë me serinë e rezultateve pozitive.

“Luajmë një ndeshje të vështirë, pasi kundër Tiranës janë gjithmonë përballje të forta. Nuk ka nevojë për shumë motivim të jashtëm, pasi vetë kundërshtari dhe një ndeshje si kjo të vetëmotivon. Jemi mirë dhe morali është i duhuri për të qenë të qetë në fushë dhe për të dhënë maksimumin. Kështu duhet të bëjmë kundër Tiranës. Në këtë kampionat, fusha nuk është më një alibi, ne luajmë mirë si brenda ashtu edhe jashtë, ndaj duhet të japim maksimumin më këtë takim. Le të hyjmë në fushë për objektivin maksimal dhe të përqendrohemi që të bëjmë më të mirën. Më pas do të shohim”, theksoi Mario Rabiu.

Normalisht që fitorja e fundit ndaj Laçit nxori nga fundi i klasifikimit korçarët që në të njëjtën periudhë të një viti më parë nuk kishin këto probleme. Kjo pasi në 6 javë, korçarët numëronin 9 pikë me tri fitore dhe tri humbje.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"