Ramazan Ndreu: Kastrioti i motivuar, duam fitoren në Berat
Kur kanë mbetur tri javë nga finishi, te Kastrioti po bëjnë çmos që të shmangin ndeshjen shtesë të “play out”-it. Pas fitores bindëse ndaj Burrelit, këtë javë luajnë në Berat ndaj Tomorit, një ekip me histori në futbollin shqiptar, por që ka rënë në të Dytën.
Gjithsesi, ky takim ka marrë gjithë vlerësimin e krutanëve për dy arsye. E para, tri pikët janë detyrim për të mos rrezikuar më tej. E dyta, Tomori po respekton garën e nuk po toleron askënd. Këtë e pohoi edhe trajneri i Kastriotit Ramadan Ndreu gjatë prononcimit për “Panorama Sport”.
“Tomori ka rënë në të Dytën, por ka treguar se po respekton garën. Kjo ndeshje merr një rëndësi të veçantë për ne, që jemi në një pozitë jo të favorshme, në vendin e tetë. Kjo na motivon më shumë për të luajtur me seriozitet e për të marrë trepikëshin, që janë shumë të rëndësishme. E kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje. Kemi tri mungesa, por pavarësisht kësaj kemi lojtarë rezervë që po e justifikojnë aktivizimin dhe po japin maksimumin”, tha Ndreu. Zhivanaj, Hodo dhe Arapi janë mungesat, por sipas trajnerit, i fundit edhe mund të aktivizohet në Berat.
SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"