Rashford nuk llogaritet nga Amorim, trajneri i Junajtid: Më mirë trajneri i portierëve
Hojlund dhe Zirzke nuk po e ndezin sulmin e Mançester Junajtidit, por kjo nuk mjafton që Ruben Amorim t’i kthehet Markus Rashfordit, sulmuesit që e ka lënë jashtë skuadre në 11 ndeshjet e fundit pasi nuk është i kënaqur prej sjelljes së tij.
27-vjeçari është kthyer në një problem në skuadrën e “Djajve të kuq” dhe e ardhmja e tij mbetet e pasigurt në pritje të zhvillimeve në ditët e fundit të merkatos. Rroga e tij e lartë prej 315 mijë paundësh në javë në Mançester është një problem për klubet e interesuara.
Pas fitores me Fulhamin, trajneri portugez u pyet sërish për anglezin dhe dha në konferencë të njëjtën përgjigje, madje duke e ironizuar më tej produktin e akademisë së “Djajve”: “Është gjithmonë e njëjta arsye. Arsyeja është stërvitja.
Ajo se çfarë mendoj unë se duhet të bëjë një futbollist në stërvitje, në jetë, çdo ditë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, unë nuk do të ndryshoj. Mund ta shihni në stol. Na duhej pak ritëm për të ndryshuar lojën për të lëvizur disa pjesë, por unë e preferoj kështu.
Unë do të ul Vitalin në stol përpara se të vendos një lojtar që nuk jep maksimumin. Unë nuk do të ndryshoj në atë departament”. Zhorge Vital është trajneri 63-vjeçar i portierëve të Mançester Junajtidit, i cili u transferua në “Old Trafford” në nëntor së bashku me trajnerin Amorim.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"