Reagimi me flamuj kuqezinj dhe rrjetë e çarë/ Aleksi kapet me Dylis, ja pikantet e Egnatia-Borac (E PLOTË)
Egnatia-Borac Banja Luka ishte një ndeshje dramatike dhe e përjetuar shumë nga të pranishmit në stadium, por natyrisht nga lojtarët në fushë dhe pankinat respektive, me plot 120 minuta të luajtura dhe penalltitë në fund.
Interesimi nga ana e tifozëve ishte deri diku i kënaqshëm. Të pranishëm ishin rreth 4000 tifozë, të gjithë shqiptarë, pasi siç dihet tifozët nga Bosnja nuk lejoheshin për shkaqe sigurie, ashtu siç ndodhi në ndeshjen e parë pas vendimit të UEFA-s me mbështetësit e Egnatias. Gjithçka i kishte paraprirë edhe incidenteve në stadiumin e Boracit dhe ky takim pritej me interes. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes në Elbasan.
* Tifozët e Egnatias, të pranishëm në “Elbasan Arena”, vendosën t’i kundërpërgjigjeshin racizmit të boshnjakëve në ndeshjen e parë me flamuj kuqezinj. Para fillimit të ndeshjes, ishin qindra flamuj të Shqipërisë, që u shpalosën nga tifozët rrogozhinas.
* Ndonëse në fushë ishte Egnatia, në stadium të jepej përshtypja se luante ekipi Kombëtar. Kjo, për faktin se tifozët ishin “armatosur” me flamuj shqiptarë. Madje, shpalosën edhe një banderolë ku shkruhej: “Luftojmë për shqiptarinë”.
* Me të nisur ndeshja filluan edhe thirrjet me motive nacionaliste, duke bërë që t’u tërhiqej vëmendja nga ana e spikerit në stadium, ku duheshin evituar thirrje të tilla.
* Në minutën e pestë, Aleksi me Dylse “konfliktohen” për një top të mbrojtësit që nuk po dinte ku ta çonte, me mesfushorin që po i kërkonte llogari afrikanit të Egnatias.
* Në minutën e 11-të delegati shkon te gjyqtari i katërt dhe i komunikon që duhet të ndërpritet ndeshja. Për dy minuta ndalet loja nga thirrjet e tifozëve të Egnatias. Futbollistët e rrogozhinasve shkojnë dhe i kërkojnë të ulin gjakrat dhe më pas rinis loja.
* Presidentin e Egnatias, Agim Demrozi, nuk e mbante vendi nga emocionet. Një pjesë të mirë të ndeshjes e pa duke qëndruar në këmbë në tribunën VIP.
* Temperaturat e larta detyruan ekipet që të ndalnin lojën në mesin e të dyja pjesëve për të konsumuar diçka për t’u freskuar.
* Në pushimin për ujë, delegati i ndeshjes e konsumoi kohën duke biseduar me gjyqtarin kryesor. Mesa duket, për të dhënë direktivat rreth mënyrës së sjelljes nëse do të kishte incidente të tjera.
* Tifozët rrogozhinas në tribunën qendrore kapen vazhdimisht me trajnerin e Borac, Mlladen Zizoviç, dikur lojtar i Tiranës (në vitin 2011), duke u munduar ta përqeshnin herë pas here kur jepte udhëzime për lojtarët e tij në fushë.
* Në minutën e 59-të një tifoz i Egnatias kalon rrethimin dhe futet në perimetrin e fushës, por neutralizohet nga stjuartët. Më pas, e rikthejnë në tribunën ku po qëndronte. Nuk mungoi as një incident i vogël mes 2 tifozëve vendës këtë moment, që u kapën me duar.
* Në minutën e 64-t, trajneri i miqve merr karton të verdhë për protesta. Moment që e përjeton me qetësi dhe pak ironi, ku shkon edhe i jep dorën gjyqtarit të katërt.
* Në minutën e 66-të një lojtar i Borac shtrihet në fushë, duke sjellë acarimin e vendësve. Në këtë moment gjyqtari bën shenjë nga ora, për të nënkuptuar se çdo vonesë do të shtohet në fund.
* Në minutën e 94-t, trajneri i Borac, Zizoviç, del me karton të kuq, teksa merr të verdhën e dytë nga arbitri Mareska, duke qenë se goditi një topin në formë proteste. Ky moment që shoqërohet me duartrokitje nga tifozët vendës.
* Në shtesën e dytë asistenti vë re një të çarë në portën që do të mbrohej nga Sherri. Menjëherë kërkohet ndërhyrja nga punëtorët e fushës për të mundësuar edhe nisjen e lojës. Një tjetër e çarë vihet re edhe në portën tjetër. Kjo krijon ilaritet në stadium.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"