Reali i prerë: Mesfushori 25-vjeçar nuk preket, Kasemiro një opsion
Brahim Diaz vazhdon të ketë një rol periferik në Madrid, ku aktivizimi i tij ka qenë me pikatore. Por ndërsa te Reali po gjen shumë pak hapësira, me kombëtaren e vendit të tij (Marok) ai po shkëlqen.
Ai shënoi një tregolësh gjatë aktivizimit me kombëtaren e vendit të tij në fazën kualifikuese për Ligën e Kombeve të Afrikës në mesjavë. Duke i përçuar një mesazh të qartë në këtë mënyrë trajnerit Karlo Ançeloti. “Brahim Diaz ngre zërin”, komentonin mediat spanjolle. Natyrisht që paraqitjet e tij me Marokun nuk mbeten pa u vënë re.
Një sërë klubesh europiane janë vënë në lëvizje dhe janë gati ta joshin marokenin duke i premtuar një vend titullari në ekip. Por natyrisht që e ardhmja e Diaz kalon nga Reali i Madridit dhe t’i marrësh një lojtarë të tillë Perezit do të duhen miliona të shumtë. Mediat spanjolle, duke iu referuar burimeve nga klubi i Realit, kanë nënvizuar se “Los Blancos” e kanë të qartë se çfarë do të bëjnë me Brahim Diazin.
“Brahim nuk preket” është komenti i prerë që vjen nga zyrat e Realit në Valdebebas. Fjalën natyrisht e ka Ançeloti për t’i besuar më shumë mesfushorit. Kasemiro – Ndërkaq në Madrid po flitet për merkato. Mbrojtje, mesfushë… Pikërisht gazeta spanjolle “AS” ka bërë me dije se në janar mund të ketë një kthim të bujshëm në Madrid.
Flitet për ish-mesfushorin e “Los Blancos”, Kasemiro. Braziliani luan te Mançester Junajtid, por që kur vuri këmbën në “Old Trafford” ai ka qenë krejt ndryshe nga Kasemiro i Madridit. Ai do të ishte gati të kthehej në Madrid, mjafton një telefonatë. Kjo mbetet për tu parë, pasi ngjan shumë me rastin e Serxhio Ramos, për të cilin u fol për një kthim në mbrojtje si pasojë e emergjencës së Realit. Në fund Perez i mbylli derën.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"