Regjistron shifra mbresëlënëse, Levandovski kthehet si në kohët “e arta” të Bajernit
Robert Levandovski e ka nisur si mos më mirë sezonin e ri. Shumë pak mund të kishin pritur që polaku të shënonte me këtë ritëm.Nëse sezoni i mëparshëm ishte zhgënjyes për të për shkak të rekordeve të shënuara dhe për shkak se skuadra nuk fitoi asnjë titull, tani historia është krejtësisht ndryshe. Askush nuk guxon të flasë për një shitje të mundshme siç u konsiderua në verë. Besimi i Laportës dhe Dekos te sulmuesi, pa harruar dhe trajnerin Flik është shpaguar. Të dhënat e tij janë mbresëlënëse. Ai jo vetëm që kryeson klasifikimin e golashënuesve me një diferencë të dukshme ndaj ndjekësve të tij, por ai është bërë golashënuesi më i mirë në Europë. Askush në ligat kryesore nuk ka numra si ai i veteranit të Barcelonës.
Në La Liga ai ka shënuar dhjetë gola, po aq sa Haland në Premier Ligë me Sitin. Gjithsesi, sulmuesi i Barçës ndan bilancin me golat e tij në Champions League. Ai ka dy gola të shënuar në Champions, ndërsa norvegjezi vetëm një pas dy takimeve të para. Në moshën 36-vjeçare, dhe pas një fillimi spektakolar të sezonit me Barcelonën, sulmuesi polak është tashmë në nivelin e tre sezoneve të tij të fundit me Bajernin e Mynihut, në të cilin ai arriti rekordet e tij më të mira të golave në të gjithë karrierën e tij. Përpara se të nënshkruante për Barçën në korrik 2022, Leva mbylli tre sezonet e tij më të mira për sa i përket golave të shënuar.
Në sezonin 2019- 2020, në të cilin fitoi tripletën me Bajernin, ai e përfundoi Bundesligën me 34 gola në 31 ndeshje. Në këtë pikë të sezonit, ai kishte 11 gola, një më shumë se tani, duke luajtur dy ndeshje më pak se këtë sezon me Barçën. Në sezonin 2020- 2021, në të cilën ai arriti rekordet e tij më të mira në Bundesligë (41 gola në 29 ndeshje), në këtë pikë të sezonit ai kishte vetëm pesë gola, katër u shënuan në ndeshjen kundër Hertës së Berlinit.
Në sezonin e tij të fundit në Mynih, 2021- 2022, ai shënoi 35 gola në 34 ndeshje në kampionatin gjerman, në këtë pikë të sezonit ai kishte shtatë gola në shtatë ndeshje, ndërsa tani ka 10 gola në 9 ndeshje. Nëse shikojmë sezonin e kaluar, shifrat e Levandovskit janë edhe më të habitshme. Ai përfundoi sezonin e tij të dytë te Barça me 19 gola në 35 ndeshje. Në këtë kohë, vitin e kaluar ai kishte vetëm katër gola. Në këtë fushatë ai ka shënuar tashmë më shumë se gjysmën e asaj që arriti vitin e kaluar në të gjithë sezonin.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"