Reijnders “shkues” për Timberin, kuqezinjtë tentojnë Omeragiçin
Milani, në funksion të merkatos dimërore, do të kishte piketuar Kuinten Timber, kapitenin e Fejnordit, si një përforcim për mesfushën. Pavarësisht se Ibrahimoviç e mohon, klubi kuqezi po kërkon shtesa të reja në janar, veçanërisht në mes të fushës, ku aktualisht skuadra është pa alternativa niveli të Fofanasë dhe Reijndersit.
Timber, i lindur në vitin 2001, konsiderohet një profil ideal për “Djallin” falë shkathtësisë së tij. Ai mund të luajë edhe si mesfushor difensiv dhe si fantazisti, cilësi që kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve kuqezi. Megjithatë, klubi holandez nuk është i gatshëm të bëjë zbritje dhe do të kërkojë të paktën 20-25 milionë euro për ta lënë të lirë. Tizhani Reijnders, bashkëlojtari i Timber në ekipin kombëtar, mund të luajë një rol vendimtar në marrëveshje për t’i mbushur mendjen shokut për transferimin te kuqezinjtë.
NJË MBROJTËS – Shuma të mëdha parash nuk janë në arkat e Milanit e në pritje të çeljes së merkatos së janarit, klubi po përgatit një goditje me vlerë të përmbajtur. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Beqir Omeragiç i datëlindjes 2002. 187 centimetra i gjatë, ai luan për Monpelienë që prej sezonit të kaluar pasi pati nisur karrierën te Zyrihu.
Boshnjak me origjinë, por që ka zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën, djaloshi është një lojtar të cilin Milani kërkon ta blejë menjëherë. Talenti i tij nuk ka kaluar pa rënë në sy, por Ibra kërkon të mbyllë operacionin, përpara se lojtari të përforcojë interesin e ekipeve të shumta që thuhet se janë në gjurmët e tij që prej verës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"