Rekordmenët e barazimeve në Superiore/ Tirana, 6 ndeshje pa fituar në Kurbin
Shtatë pikë në gjashtë sfida ka grumbulluar deri tani Gugash Magani. Peqinasi është i pamposhtur në këtë aventurë të tij të dytë te kryeqytetasit. Tirana është për rekord këtë sezon. Kundër Teutës dy javë më parë shënoi barazimin e 12-të në vetëm 18 ndeshje të luajtura.
Një bilanc i pabesueshëm i bardhebluve, të cilët regjistruan të katërtin radhazi, të tretin pa shënuar gola. Në këtë kampionat ajo ka dy fitore, katër humbje dhe 12 ndeshje në barazim. 18 pikë ka grumbulluar deri tani ekipi i Tiranës në 18 javë kampionat. Skuadra fiton një 1 pikë për takim në Superiore dhe është e shtata në renditje.
Laçi dhe Tirana do të luajnë ndeshjen e tretë këtë sezon. Në dy sfidat e para ndeshjet janë mbyllur në barazim 0-0 dhe 1-1. Nga ana tjetër, bardheblutë nuk fitojnë një ndeshje kundër kurbinasve prej majit të 2023-it. Nga ajo ditë kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë dhe skuadra bardheblu e ka pasur shumë të vështirë këtë transfertë. Në gjashtë ndeshjet e luajtura, janë katër barazime, 0-0, 1-1, 2-2 dhe dy fitore të kurbinasve 3-0 dhe 1-0. Bardheblutë duhet të bëjnë maksimumin që të marrin tri pikët e rëndësishme këtë kampionat.
NDESHJA E TETORIT – Tirana dhe Laçi ndanë pikët mes tyre me një barazim dramatik në ndeshjen e luajtur në Korçë. Në fakt ka qenë një ndeshje me shumë pak ritëm, ku dy skuadrat kishin më shumë frikë të mos pësonin gol, duke u hedhur rrallëherë me shumë forca në sulm. Bardheblutë ishin ata që krijuan rastet më të mira në pjesën e parë dhe ia dolën të gjenin rrjetën me Zharmuni.
Më pas, në pjesën e dytë ata kërkuan të administronin shifrat dhe i lëshuan terren Laçit që u hodh në kërkim të barazimit. Kurbinasit nuk dukej se kishin forcën për të tundur rrjetën, por një ndihmë ua dha pikërisht Zharmuni, i cili në fund të ndeshjes, në minutën e fundit shtesë, devijoi në mënyrë të pafat para portës, duke shkaktuar autogolin që vulosi barazimin përfundimtar 1-1.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"