Rikthehen mbrëmjet magjike për Real Madridin, “Bernabeu” jeton për… triumf

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 11:45

Rikthehen mbrëmjet magjike për Real Madridin, “Bernabeu” jeton për… triumf

Pas fitores 2-0 në “Reale Arena”, Reali i Madridit ka aktivizuar modalitetin “Champions” në prag të kompeticionit të preferuar dhe favorit. Me vështrimin nga debutimi europian kundër Shtutgartit sot në mbrëmje në “Santiago Bernabeu”, klubi po përgatit mbrëmjen speciale të një turneu, ku ka shkruar një pjesë të rëndësishme të historisë.

8f9e7040-20a6-11ef-80aa-699d54c46324

TURNE SPECIAL- Reali i Madridit dhe Champions-i kanë një marrëdhënie speciale. Asnjë skuadër nuk ka fituar më shumë trofe në këtë kompeticion sesa “Galaktikët” dhe numërojnë 15 tituj në palmaresin e tyre. Pikërisht për këto mbrëmje jetojnë në “Bernabeu”. Pa asnjë dyshim, ekipi nuk vjen në këtë ndeshje në momentin më të mirë. Ka qenë një nisje sezoni jo shumë pozitive dhe ndoshta atipike, e shënjuar nga dëmtimet e shumta. Ançeloti është duke mbledhur “copëzat” për të gjetur formulën që ekipi të funksionojë në fushën e lojës. Pavarësisht problemeve të shumta, Reali gjithmonë transformohet në Ligën e Kampionëve, një turne që e ka dominuar si asnjë tjetër. Mbape, që me shumë mundësi bëri ndeshjen më pozitive ndaj Sociedadit që nga dita e parë që ka shkelur në “Bernabeu” është më i karikuar se kurrë.

SHANSET- Dyshimeve dhe problemeve që ka pasur në këtë start sezoni, i janë shtuar edhe dëmtimet që po e komplikojnë situatën. Brahim Diaz është shtuar në listën e gjatë të Alaba, Sebajos dhe Kamavinga. Bellingham dhe Tçuameni janë gati për mbrëmjen europiane. Rikthimi i Militaos dhe Mendisë ishte një frymëmarrje për mbrojtjen dhe Ançeloti i siguroi tifozët që braziliani nuk ka asgjë serioze.

CHAMPIONS I RI- Reali i Madridit do të debutojë në një Champions ndryshe, ku do të ketë 8 ndeshje me rivalë të ndryshëm, por me misionin e madh për të shkuar deri në fund dhe për të ngritur kupën e 16-të të historisë. Skuadra e Ançelotit shihet si një nga skuadrat favorite për të triumfuar në këtë kompeticion së bashku me Mançester Sitin. “Bernabeu” jeton për mbrëmje të mëdha dhe kërkon të mos zhgënjejë në këtë start. Fitorja është detyrim, por duhet të jetë bindëse dhe pa dyshime.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"