Rikthehet Mandela titullar te Dinamo, Daja projekton formacionin me një dyshim kundër Egnatias
Dinamo do të zbresë sot në fushë me pak ndryshime, në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Tiranës. Nga minuta e parë pritet të rikthehet pas disa javësh mungesë sulmuesi Peter Itodo Mandela.
Nigeriani është plotësisht i rikuperuar nga dëmtimi muskulor që pësoi në ndeshjen ndaj Teutës. Titullar pritet sot edhe Nani, portugezi që gëzon një formë mjaft të mirë, me 4 gola të shënuar javët e fundit. Zabërgja ka kaluar një gjendje gripale gjatë javës, por pritet të sakrifikojë sot, pasi është stërvitur me grupin. Më shqetësuese është situata me mesfushorin Bakari Gudiabi, i cili gjithashtu ka kaluar një gjendje virale gjatë javës.
Mesfushori senegalez është në dyshim të fortë për ndeshjen e sotme, pasi është stërvitur më pak me ekipin. Ai është një nga titullarët e rëndësishëm të bluve, aq më tepër që javët e fundit gëzonte një formë goxha të mirë. Në mesfushë sot pritet të luajnë Toli, Qefalija dhe me shumë mundësi Karamba. Prapavija e Dinamos nuk pritet të pësojë asnjë ndryshim, pasi duket një repart i konsoliduar me Meksin dhe Lorranin nga krahët, si dhe Ditën e Alijin në qendër.
Mungesa të sigurta për trajnerin Ilir Daja në ndeshjen e sotme janë ato të mbrojtësit Mateo Muzek dhe sulmuesit Dejvi Bregu. Ky i fundit ka filluar të stërvitet me grupin, por do të jetë gati për luajtur nga ndeshja me Bylisin në 2025-ën.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"