Rikthehet sulmuesi kryesor, Gvozdenoviç: E njoh mirë Partizanin, gjithçka për pikët
Elbasani i ka dhënë dorën e fundit për gatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Partizanin. Një sfidë që në kampin verdheblu janë gati dhe plot optimizëm për të thyer “mallkimin” me kryesuesit. Në daljen e tij para mediave, tekniku Ivan Gvozdenoviç është i qartë kur kërkon maksimumin nga skuadra, teksa i gëzohet edhe rikthimit të sulmuesit Ze Gomesh në këtë sfidë.
Serbi po mendon që të ndryshojë sistem loje, meqenëse tani e njeh paksa më mirë skuadrën. Në lidhje me merkaton ai thekson se po e mendojnë, por fillimisht duhet të kalojnë dy ndeshjet e mbetura. Në fund, Gvozdenoviç ngacmohet edhe për shortin e Botërorit, ku Serbia përballet me Shqipërinë, teksa do të ishte i lumtur nëse kualifikohen të dyja.
Mister, me pak më shumë ditë në dispozicion, si të duket grupi i skuadrës? U bë një javë këtu me Elbasanin dhe mund të them se e njoh paksa më mirë. Situata është e mirë, Ze Gomesh është gati për Partizanin. Megjithatë, kemi ende disa mungesa. Lulaj nuk luajti me Vllazninë, por nuk është 100% gati, ashtu si edhe Telushi me Hasanin. Do të shohim, mbase ndërrojmë edhe sistemin e lojës nesër (sot). Do të bëjmë edhe stërvitjen e fundit dhe me stafin do e diskutojmë çfarë do bëjmë.
Si e prisni ndeshjen me Partizanin? Si fillim ne kemi respekt për të gjitha skuadrat. Bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë. Megjithatë, ne do të provojmë me patjetër të luajmë në maksimum, për të marrë pikët. Kemi pasur kalendar të vështirë, por ne do të mendojmë vetëm të marrë pikët maksimale.
A keni ndonjë strategji specifike për të përballuar kundërshtarin? Si fillim, mendojmë bashkë me stafin të ndërrojmë sistemin. I dimë pikat e forta dhe të dobëta të Partizanit. Nuk mund të flas për çdo detaj, por ne jemi gati për nesër (sot).
Elbasani nuk fiton dot me ekipet e kreut, pse mund t’i ndodhë kjo skuadrës? Nuk jemi mirë sa i përket rezultateve në përballjet me skuadrat mbi ne. Nuk e di, ndoshta mentaliteti, më pak përgjegjësi apo përqendrim. Jam për vetëm një javë këtu dhe nuk di të jap një përgjigje të saktë. Por, ndoshta mungesa e shpejtësisë në veprime brenda skuadrës. Do përpiqemi t’i rregullojmë këto gjëra bashkë me stafin.
Keni nisur të bisedoni për merkaton me klubin? Kemi biseduar dhe drejtori po punon për këtë gjë. Por, nuk mund të flasim shumë, sepse ndeshja vjen shumë shpejt dhe për momentin jemi të fokusuar aty. Kur ta mbarojmë ndeshjen me Partizanin dhe Skënderbeun, mund të flasim pak më shumë. Jemi të fokusuar te tre-katër lojtarë, por të shohim.
Në cilin repart mendoni se keni nevojë më shumë për afrime? Ndoshta kemi nevojë për nga një lojtar në çdo repart, qendërmbrojtës apo edhe mesfushor. Nëse do të luajmë me sistemin 4-3-3 ose 4- 2-3-1, kemi nevojë edhe për një sulmues krahu.
E ndoqët shortin e Botërorit dhe si e shihni përballjen Shqipëri-Serbi? Shortin tani sapo e mora vesh, sepse isha i përqendruar te stërvitja për ndeshjen me Partizanin. Çfarë mund të them, futbolli bashkon njerëzit. Patjetër, grupi është i fortë për të dyja Kombëtaret. Shpresoj vetëm që si gjithnjë të fitojë futbolli dhe pastaj të fitojë kush është më i miri.
Do të ishit të kënaqur që në fund të shkonin të dyja në Botëror? Po, po, patjetër. Nëse shkojnë të dyja, sigurisht që do të jem i lumtur.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"