Rikthehet të luhet pas 20 vjetësh mungesë/ Peripecitë e Kupës Ndërkontinentale, ose ndryshe “Botërorit klandestin”
Ndoshta asnjë turne në historinë e futbollit botëror nuk ka një histori me kaq shumë ngjarje sa Kupa Ndërkontinentale. Ajo do të rikthehet në skenë sonte në mbrëmje me duelin mes Realit të Madridit dhe Paçukës (Meksikë) në Doha.
Kanë kaluar njëzet vjet nga gara e fundit ndërkontinentale, e fituar nga Porto e Zhoze Murinjos. Për herë të parë, klubi portugez regjistroi emrin e tij në një rekord të dominuar nga pesë klube, ndër të cilët spikatën emrat e Realit dhe Penjarol Montevideo, protagonistë të finales së parë. Dueli, i cili kishte për qëllim të caktonte “skuadrën më të mirë në botë”, u luajt në dy ndeshje, fillimisht në Uruguai dhe më pas në Spanjë.
Madridi ishte kampioni i parë, duke fituar 5-1 në total. Turneu shpejt fitoi prestigj, duke u vlerësuar, më shumë në Amerikën e Jugut sesa në Evropë. Skuadrat spanjolle-amerikano jugore e dominuan atë në vitet ‘60, para se të vinte “kriza” e parë e Interkontinentalit. Në vitet ’70 , ai pushoi së luajturi dy herë, për shkak të dyshimit të kampionëve të Evropës për tepricën e “intensitetit” që skuadrat latine aplikonin në gara (loja e ashpër). Turneu duhej të kthehej në shina në vitin 1980, kur “Toyota” mori përsipër sponsorizimin.
NJË BOTËROR POTHUAJSE KLANDESTIN – Në vitin 2000, FIFA organizoi, paralelisht me Kupën Ndërkontinentale edhe Botërorin e Klubeve (hera e parë), në të cilin Reali, së bashku me Mançester Junajtid, ishin përsëri përfaqësuesit evropianë. Ideja e FIFA -s ishte shtrirja e turneut në të gjitha Konfederatat e saj, duke lënë pas luftën tradicionale mes “UEFA”-s dhe “CONMEBOL”-it. Kampioni i parë ishte Korinthians. Por ideja e dy turneve nuk u dakordësua për arsye ekonomike. “Toyota” refuzoi të dyfishonte sponsorizimin, duke vijuar me “Interkontinentalin e vjetër” që pati jetë deri në vitin 2004.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"