Rikthimet dublojnë repartet, ja si pritet të luajë Apolonia në sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 18:00

Rikthimet dublojnë repartet, ja si pritet të luajë Apolonia në sezonin e ri

Me rikthimin e Serjan Repajt, si dhe afrimet e mbrojtësit Omer Repaj dhe mesfushorit Kananaj, të cilët ishin kërkuar me ngulm në këtë merkato vere nga ana e trajnerit Artan Mërgjyshi, mund të thuhet se fierakët janë të kompletuar në çdo repart.

apolonia 2024-2025

Për fat të keq, Apolonisë i duhet t’i bëjnë llogaritë pa sulmuesin Erald Maksuti, i cili është dëmtuar rëndë gjatë fazës përgatitore verore. Bëhet fjalë për një dëmtim në gjurin e djathtë, prandaj për disa javë të tjera do të qëndrojë jashtë fushave. Një mungesë jo pak e rëndësishme, por të paktën tani shpresohet që të rikthehen në fushë të gjithë futbollistët që kanë pasur probleme fizike dhe nuk kanë mundur të jenë në shërbim të skuadrës përgjatë dy ndeshjeve të para të kampionatit. Në fakt, edhe pse me mungesa të shumta dhe të rëndësishme në skuadër, Apolonia ka treguar në këto javë të para se ka pasur mundësi për t’i zëvendësuar. Tani që pritet të rikthehen të gjithë, mund të flasim për një skuadër të dubluar dhe “blinduar” në të gjitha rolet. Mërgjyshin tani ka luksin të bëjë përzgjedhjet e duhura.

Si mund të luajnë

Deri më tani, trajneri Artan Mërgjyshi ka qenë “fanatik” i skemës 4-4-2, por me rikthimin e të gjithë ekipit, nuk përjashtohen ndryshime. Tani mund të kalojë me një rreshtim 4-3-2-1, të cilat mund të sjellin sigurisht një Apoloni më cilësore dhe më produktive. Për ta nisur nga porta, me Bushin që është numri një në portë, ndërsa Kaçaj dhe Xhemalin janë alternativa për të mbrojtur kuadratin e fierakëve. Në një mbrojtje me katër, Hebeja, Ndubuisi, Serjan Repaj dhe Asllanaj janë kryesorët, ndërkohë që të gatshëm janë Omer Repaj, Folorunsho, Kofi dhe Zhozef.

Në qendër të mesfushës priten nga fillimi Jasin, Musa dhe Topi, por Kananaj, Rakipaj, Injehu dhe Bejzaden shihen si alternativat e tyre. Për të vijuar më pas me Trifonin, Maksutin dhe Umejiegon në majën e sulmit, ndërsa Rajmond, Culli dhe Kalice janë të gatshëm për teknikun Mërgjyshi. Me pak fjalë, një skuadër e kompletuar në të gjitha repartet dhe me alternativat po në nivelin e atyre që shihen si titullarë, ku mbetet për t’u parë në fund se cilët do të preferojë trajneri Mërgjyshi nga minuta e parë. E rëndësishme është që deri në muajin janar, fierakët e shohin veten të plotësuar, ku mbeten për t’u parë rezultatet në fushën e lojës.

Hilmi Saliu- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"