Rikthimi i Gugash Maganit te Tirana, të tjerët ishin plani “B” për bardheblutë (EMRAT)
Gugash Magani mund të quhet trajneri i ri i Tiranës. Kjo është lëvizja më e fundit te bardheblutë. Palët duket se kanë arritur një marrëveshjeve verbale, që ish-trajneri i kryeqytetasve të kthehet dhe të veshë tutat e trajnerit të Tiranës për të zëvendësuar vendin e lënë bosh nga Bledi Shkëmbi.
Pas shumë diskutimesh duket se drejtuesit kanë individualizuar një ish që të ringrejë ekipin. Magani është kontaktuar nga klubi, ndërsa vetë trajneri e ka pranuar shkurt për “Panorama Sport” se është në bisedime. “Po është e vërtetë që kam pasur një ofertë. Jemi në bisedime dhe asgjë nuk ka përfunduar. Marrëveshja ende nuk është mbyllur”, është shprehur “Gashi”.
Gjithsesi, burime në klub bëjnë me dije se Gugash Magani do të jetë trajneri i ri i bardhebluve. Magani e ka drejtuar edhe më parë Tiranën, më saktë nga 1 dhjetori 2013 deri në 17 maj 2015. Trajneri ka 68 takime me bardheblutë, nga ku 36 fitore, 19 barazime dhe 13 humbje dhe me një mesatare 52.94% sfidash të fituara.
ALTERNATIVAT – Me Bledi Shkëmbin e larguar, dhe pa zyrtarizim, Tirana është duke menduar për pasuesin e tij. Disa janë emrat që qarkullojnë. Bëhet fjalë për Ernest Gjokën dhe Emanuel Egbonë. Të dy janë kontaktuar dhe shanset janë të mëdha që një prej tyre të jetë në stolin bardheblu.
Gjoka ka qenë kandidat edhe para Shkëmbit, ndërsa Egbo sponsorizohet nga brenda skuadrës. Nga ana tjetër, gjatë dy ditëve të fundit, drejtuesit kanë testuar gatishmërinë e disa trajnerëve të tjerë, duke filluar nga Orges Shehi, Gentian Mezani, Armando Cungu, Shpëtim Duro dhe Gugash Magani. Indirekt këta janë kontaktuar për të parë nëse mund ta marrin Tiranën në këtë moment që është ekipi. Klubi ka plan të kontaktojë edhe trajnerë të huaj, nëse asnjëri nuk i mbush mendjen.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"