“Rivalët tanë vetëm do të fitojnë, Flamurtari ngjitet”. Drejtori Bezhani: Agostineli u provokua dhe pështy nga pankina e Kukësit
Flamurtari reagon zyrtarisht pas ngjarjeve në ndeshjen Flamurtari-Kukësi. Drejtori i përgjithshëm i bordit të raporteve me median dhe institucionet në klub, Rinald Bezhani gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, thekson se nga Kukësi ka pasur tendenca për të krijuar situata të ndryshme në këtë ndeshje.
“Jemi në kohën e apokalipteve. Nuk është detyra jonë dhe nuk do të jetë asnjë herë përgjegjësi e Flamurtarit të analizojë luftën sportive dhe cilësinë sportive të Kategorisë së Parë. FSHF-ja është e zonja që ta bëjë këtë punë, për të parë nëse në një ndeshje të caktuar ka patur apo jo luftë sportive. Ajo ka edhe përgjegjësinë e saj kundrejt organeve të tjera që e licencojnë dhe e monitorojnë. Flamurtari nuk duhet të turpërohet se dikujt i mungon lufta sportive në ndeshjet e tij, si dhe nuk do të tolerojë asnjëherë dhe nuk do të ketë luksin t’i kërkojë llogari dikujt për ndeshjet jashtë skuadrës së tij. Ne nuk i kemi thënë asnjërit të të vijë turp edhe në momentet që ka pasur gola me dorë, penallti të padhëna, apo veprime të tjera antisportive për të vonuar lojën.
Kemi dhënë dorën në fund, ashtu sikundër bëri presidenti Idrizi pas ndeshjes së Vorës dhe nuk u mor me asnjë episod teknik. Ndaj Kukësit, që në minutën e parë ndodhi shtrirja e lojtarëve kundërshtarë për më tepër se një minutë e gjysmë. Pjesa e parë pati 13 minuta shtrirje dhe jo luftë sportive dhe u morën vetëm tri minuta shtesë. Askujt nuk i thamë pse shtrihesh dhe pse e kërkon rezultatin ndryshe. Ne nuk bien më grackën e këtyre gjërave”, shprehet fillimisht Bezhani.
PËRPLASJA – Bezhani ndalet edhe te përplasja mes dy trajnerëve, Andrea Agostineli dhe Emiljano Çela. “Nuk mund të neglizhojmë, pasi quhet thyerje e inteligjencës për klubin dhe integritetin tonë moral, kur pas festimeve të golit të dytë në ndeshjen me Kukësin, trajnerin Agostineli i ndodhur përpara pankinës së Kukësit dëgjon që dikush i thotë italisht: ‘Të të vijë turp’. Ai ndjeu edhe lëshim gjërash drejt fytyrës së tij, që më vjen turp t’i përmend, mund edhe ta kenë pështyrë. E vetmja shprehje që Agostineli tha ishte: ‘Të kem turp unë?! Jo, duhet të keni turp ju që një ndeshje para hapët portën, duke mos bërë luftë sportive’. Agostineli u ndie i fyer dhe i pështyrë, duke kaluar para pankinës. Mbase reagoi, por pa fyerje, pa ofenduar dhe ajo histori përfundoi aty. Nuk është detyra jonë që trajneri i Kukësit në 90 minuta nuk u ngrit asnjëherë nga pankina. Është detyra e atij klubi që mund ta mbajë edhe në tribunën qendrore me presidentin, trajnerin, mund ta çojë edhe në tribunë me tifozët”, vijon Bezhani.
PINË KAFE – Drejtori Rinald Bezhani thekson se pas ndeshjes pinë kafe me Emiljano Çelën dhe nga trajneri i Kukësit nuk pati asnjë shqetësim. “Unë pata luksin që pas ndeshjes të isha në tavolinë me pjesën e stafit të Flamurtarit dhe trajnerin Emiljano Çela. Diskutuam efekte teknike dhe specifike të ndeshjes dhe pas ndeshjes. Asnjëherë nuk u hap ky lloj muhabeti. Hapja e këtij argumenti është jashtë interesave dhe detyrave të Flamurtarit. Ne nuk merremi me trajnerët”, tha Bezhani.
SUPERIORJA – Rinald Bezhani thekson se rivalët e Flamurtarit do të fitojnë në çdo ndeshje, për shkak të prapaskenave që mund të bëhen, por detyra historike e vlonjatëve është të ngjiten në Superiore. “Flamurtari ka detyrën historike që këtë vit ta gjejë veten në Superiore dhe kjo do të ndodhë. Kundërshtarët tanë vetëm do të fitojnë, por Flamurtari ka të drejtë të bëjë detyrën e tij pa parë të tjerët se çfarë bëjnë në jetët dhe në punët e tyre. Flamurtari ka detyrën historike të fitojë çdo takim, pa parë dhe kthyer kokën çfarë bën skuadra tjetër, jo e drejtpërdrejtë në takimin me të. Kemi një luks të madh, pasi me kundërshtarët do të ndeshemi përsëri. Aty do të demonstrojmë kush është Flamurtari i vërtetë, çfarë është i zoti të bëjë dhe sa është diferenca jonë me të tjerët”, përfundon drejtori i kuqezinjve, Rinald Bezhani.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"