“Rivalët të imponojnë fitoren, ndryshe të shkëputen me pikë”. Frashëri: Besa do terren super, rrëshqitja kushton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2024 | 12:35

“Rivalët të imponojnë fitoren, ndryshe të shkëputen me pikë”. Frashëri: Besa do terren super, rrëshqitja kushton

Rezultatet e Flamurtarit dhe Vorës i impononin verdhezinjve patjetër një rezultat pozitiv në Fushë-Krujë. Besa kësaj ia arriti duke fituar minimalisht 1-0, falë golit të Oliveirës. Kjo fitore ka lënë të gëzuar jo vetëm stafin, futbollistët, por edhe tifozët, pasi fitoret e rivalëve, Flamurtarit e Vorës do të sillnin një tjetër shkëputje.FRASHERI BESAPo çfarë mendon Erlis Frashëri për këtë sfidë dhe çfarë ndikimi ka kjo fitore në ecurinë e Besës? Mbrojtësi korçar i Besës në prononcimin për “Panorama Sport” shpreh opinionin e tij në lidhje me dy sfidat e fundit të mbetura për këtë vit që verdhezinjtë do të luajnë, kundër  Lushnjës dhe Apolonisë. Ndër të tjera, Frashëri tregon edhe sa e vështirë ishte marrja e një fitore në Krujë.

Sa e vështirë ishte marrja e tri pikëve me Kastriotin?

Mund të them se ishte ndër ndeshjet më të vështira të këtij sezoni. Kjo, pasi vinim pas atij barazimi me Pogradecin që na impononte vetëm një rezultat, atë të fitores. U futëm në fushë me këtë dëshirë, bindje dhe nevojë dhe ia arritëm qëllimit. Treguam karakter të fortë në fushë, në atë terren që e patë vetë sesi ishte. Ndërkohë që terreni i keq vlente njësoj për të dy ekipet, por ju e dini që loja jonë bazohet në pasime dhe përdorimin e topit. Besoj se në atë terren nuk mund të bënim lojën tonë teknike. Ishim ne të interesuar për fitoren në atë takim dhe ishim ne të penalizuar në këtë terren. Për diçka të tillë, jo më kot zgjodhëm fushën e stadiumit të Egnatias për të luajtur ndeshjet si pritëse të këtij sezoni.

A ishte kjo ndeshja juaj më e mirë?

Kemi zhvilluar edhe ndeshje të tjera të mira ku kemi fituar, madje thellë. Mjafton t’ju kujtoj, se kemi vetëm 2 barazime jashtë Kavajës dhe këto pa pësuar gol. Ndryshimi qëndron, se përtej lojës, në ato kushte, duhet të tregonim edhe muskujt dhe këtë e bëmë në atë terren dhe dyluftime të shumta.

Kaq shumë vlerë paska pasur kjo fitore për ju?

Po, pasi çdo rezultat tjetër do ta largonte Vorën me 4 apo 5 pikë përpara nesh. Po ashtu edhe Flamurtarin. Objektivi ynë dihet, dhe një rrëshqitje e vogël do na kushtonte shumë.

Kur ju kanë mbetur edhe dy ndeshje këtë vit në shtëpi me Lushnjën dhe Apoloninë, çfarë prisni?

Nëse më pyesni mua, gjykoj se kemi bërë shumë më mirë jashtë se në shtëpi. Prandaj nuk ka ndonjë vlerë të madhe ku luan, nëse pretendon të rikthehesh në elitë. Për më tepër, që kundër Besës të gjitha ekipet mblidhen mbrapa dhe na vështirësojnë lojën. Në dy ndeshjet e mbetura të këtij viti do të luftojmë për fitoren.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"