“Ronaldo dukej sikur do të vdiste në fushë”, Edmundo kujton finalen Francë-Brazil: Kishte konvulsione, i kërkova Leonardos t’i fliste
Më 12 korrik 1998, një nga brezat më të mirë të Brazilit përjetoi një nga ditët e tij më të vështira. “Selesao” ishte kualifikuar për finalen e Kupës së Botës pasi kishte eliminuar Holandën me penallti dhe ishte gati të luftonte për titullin e kampionit të botës me Francën e Zidanit.
Edmundo, zëvendësues i Ronaldos, tregon për konvulsionet, episodin më të frikshëm të “fenomenit”, që la shenjë tek ai dhe te paraqitja e brazilianëve në finale.
FRIKA PËR RONALDON – Të gjithë ishin të përqendruar për finalen, por pas drekës, atmosfera u prish. “Unë po ngjitesha në dhomat e gjumit me Dorivën dhe pashë Ronaldon që kishte konvulsione”, shpjegon Edmundo për “podcast”-in brazilian “Inteligência”.
“Unë dola në korridor për t’i paralajmëruar të gjithë”, vazhdon ai, “me Sezar Sampaion u përpoqëm të mos e lejonim të kapërcente gjuhën, por sytë ishin duke perënduar”. Më në fund, me ndihmën e mjekëve, Ronaldo fitoi vetëdijen. “Të gjithë e dinin që ai kishte pasur konvulsione përveç tij”, thotë Edmundo që duke rrëfyer vazhdimin e ditës shprehet:
“Fenomeni hyri në dhomën e ngrënies, u ul dhe filloi të hante tortën. Të gjithë po e shikonim të tensionuar. Pastaj ai doli për të bërë një telefonatë dhe Leonardo (drejtori aktual sportiv i PSG-së) tha: Duhet të flasim për të, ndryshe do të vdesë në fushë”. Gjithë kjo situatë krijoi një klimë tensioni përreth brazilianëve. Stafi ishte shumë i frikësuar nga ajo që kishte parë dhe nuk dihej si do të shkonin gjërat.
“Dukej e çuditshme, ishim si në re”, tha Edmundo, i cili u zgjodh si zëvendësuesi i Ronaldos për finalen. “Zagajo (trajneri) tha se Ronaldo nuk do të luante dhe se unë do të isha vendimtar atë mbrëmje”, vazhdon ai. “Të gjithë më brohoritën, grupi ishte si një familje dhe kjo më motivoi të mos dorëzohesha në asnjë moment. Ishte kjo lidhje që më bëri të jepja çdo gjë sa herë që futesh në gjithë turneun”, u shpreh Edmundo, i cili deri atëherë kishte qenë zëvendësuesi i Ronaldos.
FINALJA – “Ne arritëm në stadium dy orë para ndeshjes – thotë ai – të gjithë kishin ritualin e tyre dhe Zagajo na motivoi. Minutat ecnin dhe unë e dija se isha titullar. Pastaj hyri Ronaldo, i shoqëruar nga një nga mjekët dhe të gjithëve na u bë shumë qejfi ta shikonim mirë.
Për 5 ose 10 minuta ai, Zagajo, asistentët dhe mjekët biseduan me njëri-tjetrin dhe pas largimit të tyre, trajneri m’u drejtua mua. Më lajmëroi se kishte ndryshuar mendje dhe të mos mërzitesha sepse nuk do të isha më titullar, por do të ishte Ronaldo”, tregon Edmundo për vendimin që e la në stol. “Ishte një vendim mjekësor, jo teknik. Pastaj ai ishte më i miri në botë, sapo kishte fituar ‘Topin e Artë'”.
Ronaldo përfundoi duke qenë pjesë e lojës, por në atë finale, Brazili përfundoi duke u mposhtur 3-0 dhe ylli brazilian ashtu si shumë prej shokëve të tij të skuadrës bënë një paraqitje poshtë nivelit të tyre të zakonshëm. Lidhur me ndeshjen, Edmundo shpjegon:
“Zidane ka shënuar dy gola. Kërkoni në internet sa gola me kokë ka shënuar në karrierën e tij. Ajo skuadër e Brazilit, kundër asaj të Francës, do ta kishte fituar atë ndeshje tetë nga dhjetë herë, por kështu e ka futbolli”. Ronaldo, atë ditë humbi një finale, por shpëtoi jetën. Katër vite më vonë, shpërthimi i tij do të vinte dhe Ronaldo dhe Brazili i tij do të dominonin Botërorin 2002 të luajtur në Korenë e Jugut e Japoni, për t’u kurorëzuar kampionë bote.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"