Rotacioni te Egnatia nuk ka fund, vetëm 3 lojtarë kanë luajtur çdo ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2024 | 21:44

Rotacioni te Egnatia nuk ka fund, vetëm 3 lojtarë kanë luajtur çdo ndeshje

Java e 14-të rezervon një transfertë për kampionët në fuqi të Egnatias. Ata shkojnë në Ballsh të dielën me synimin për të marrë maksimumin ndaj Bylisit të vendit të fundit.

egnatia

Kjo është një nga tri ndeshjet jashtë fushe që rrogozhinasit do të luajnë deri në fund të vitit 2024, ndërsa tri ndeshje të tjera i kanë në fushën e tyre. Pritet që trajneri Edlir Tetova ta ketë grupin më të plotë, sepse nuk ka lojtarë të skualifikuar, apo ndonjë titullar të dëmtuar. Fazën e parë Egnatia e mposhti 4-0 Bylisin dhe në ndeshjen e kësaj jave është favorite në letër, por në kampin kampion nuk u zënë besë ballshiotëve dhe janë përgatitur për një 90- minutësh impenjativ.

TRE PA MUNGESA – Në 13 ndeshjet e deritanishme të kampionatit janë vetëm 3 lojtarë të Egnartias që nuk kanë munguar asnjëherë në fushë. Ata janë portieri Ilir Dabjani dhe mesfushorët Arbin Zejnullai e Reegi Lushkja. Dabjani në fakt është edhe “rekordmeni” i minutave te rrogozhinasi, pasi nuk ka mundur asnjë sekondë në 13 javë, duke numëruare 1170 minuta të plota.

Zejnullai dhe Lushkja mund të kenë më pak minuta se ndonjë titullar tjetër, por të dy këta lojtarë kanë qenë gjithmonë prezentë në fushë, nga minuta e parë, apo si zëvendësues. Zejnullai është aktivizuar në 11 ndeshje si titullar dhe në 2 të tjera është futur nga stoli, ndërkohë që ka shënuar edhe një gol, atë ndaj Tiranës. Lushkja e ka parë veten në fushë 10 herë nga minuta e parë dhe 3 herë si zëvendësues.

Mesfushori kavajas, ndryshe nga kolegu i tij i repartit, ka një rendiment më të lartë golash, pasi ka shënuar 3 herë deri tani, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"