Ruço largohet nga Lushnja dhe e mbyll me futbollin 33 vjeç: Kur nuk merr atë që meriton…
Ledion Ruço nuk do të jetë më pjesë e Lushnjës. 33-vjeçari ka marrë vendimin për të lënë futbollin e luajtur. E ka nisur në moshën 18-vjeçare në Kategorinë Superiore (18 prill 2009 Shkumbini-Lushnja 1-0) dhe e mbylli me “play out”- in e 16 majit të këtij viti, ku Lushnja mundi 2-0, Ilirinë.Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” ka rrëfyer gjithçka.
Dolët disa ditë në stërvitje me Lushnjën dhe më pas nuk u shfaqët më, përse?
Dola për 10 ditë në stërvitje. Më pas nuk dola më për shumë arsye. Tashmë vendimi është marrë. Unë kam lënë futbollin e luajtur.
Si erdhi vendimi për të lënë futbollin e luajtur?
Vendimin e mora, jo se doja ta mbyllja këtë vit me futbollin e luajtur. Doja të bëja edhe një vit më shumë. Shpresoja ta ngjisnim Lushnjën edhe një herë atje ku e meriton të jetë. Por në futboll ndonjëherë nuk të japin atë që t’i kërkon dhe meriton. Kështu vendosa. Tashmë më mirë: “Stop”. Deri këtu ishte.
Ishte e vështirë apo e papritur?
Po, shumë e vështirë. Por kjo gjë do të ndodhte herët a vonë. Erdhi pak e papritur. Unë në jetën time jam mësuar t’i bëj gjërat me pastërti dhe ndershmëri. Jam krenar për çdo gjë, që kam bërë për Lushnjën.
A do ta filloni rrugën e trajnerit dhe a mendon se një ditë mund të jeni trajner i Lushnjës?
Po mendoj të bëj kursin e trajnerit. Ndoshta një ditë mund të jem trajner i Lushnjës. Nuk i dihet jetës. Çdo gjë mund të ndodhë. Nga një sezon në tjetrin Lushnja ndryshon shumë në organikën e lojtarëve.
Pse futbollistët nuk po rezistojnë?
Kjo gjë ka 4-5 vjet që ndodh në Lushnjë. Mendoj se nuk ka një bazë siç e ka pasur para disa vitesh. Në ekipin e Lushnjës ishin 16 lojtarë lushnjarë dhe ishim çdo sezon bashkë. Kurse tani ndërrohen lojtarët çdo vit. Ndoshta, disa prej tyre nuk i përmbushin kushtet që kërkon klubi. Një lojtar të mirë çdo ekip e dëshiron. Prandaj mendoj se i largon klubi. Me jo pak vështirësi Lushnja qëndron në Kategorinë e Parë!
Pse vuan kaq shumë ekipi?
U bënë dy vite radhazi që kemi rrezikuar seriozisht rënien nga Kategoria e Parë. Siç e thashë, Lushnja nuk po gjen dot bazën që të mbajë peshën e ekipit. Mos të harrojmë që ka shumë djem të rinj në ekip. Plus dhe të huaj, që nuk e dinë peshën e fanellës që mbajnë. Rëndësinë e kategorisë ku luajnë dhe synimet që ka ekipi i Lushnjës. Mendoj se ky është ai ngërçi që Lushnja po vuan kaq shumë.
Çfarë kanë qenë për Ruçon tifozët e Lushnjës?
Tifozët e Lushnjës janë më të mirët në Shqipëri. Na kanë mbështetur në çdo moment, të mirë dhe të vështirë. Ata meritojnë të marrin më shumë nga skuadra. Mendoj se do të vijë ajo ditë për tifozët e Lushnjës.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"