Saraçi: Llogaria e Tomorit, vendi i tretë në renditje. Vrapi: Starti me dy fitore qetësoi Naftëtarin
Pas fitores së pritshme në transfertë ndaj Memaliajt, në kampin beratas janë shfaqur më të qetë. Ata e kanë konsideruar këtë fitore si një kompensim pas humbjes me Luftëtarin në shtëpi. Ndërsa janë ndërgjegjësuar se nëpërmjet përllogaritjeve e kanë të pamundur që të kapin jo vetëm Luftëtarin, por edhe është e vështirë, i hapur mbetet edhe vendi i dytë.
Më i mundshmi mbetet vendi i tretë, që të siguron fazën “play off”. Gjithnjë llogaritë bëhen duke marrë në konsideratë kalendarin favorizues, pasi përballjet direkte me Butrintin dhe Devollin do t’i luajnë në shtëpi. Me këto mundësi, Tomori mund të konsolidohet në vend të tretë. Sulmuesi beratas, Vladimir Saraçi, beson te vendi i tretë dhe për “Panorama Sport” deklaroi: “Tomori do të përmirësohet dukshëm javë pas jave. Duhet të jemi realistë, edhe pse matematika të mban në lojë për gjithçka. Sa i përket dy vendeve të para, ne qëndrojmë me këmbë në tokë dhe është e pamundur të kapen Luftëtari dhe Oriku, kështu që, vendin e tretë e konsiderojmë si të arritshëm, plus në fund do të luajmë gjithçka për gjithçka për sa i përket renditjes”. EDI SPAHIU
Kapiteni Vrapi: Starti me dy fitore qetësoi Naftëtarin
Naftëtari e ka nisur fazën e dytë në mënyrën më të mirë të mundshme, ku janë fituar dy ndeshjet e para. Pas suksesit në transfertë me Gramshin, Naftëtari kaloi me përmbysje Albanët, falë golave të Adevayou dhe dy golave të kapitenit Samuel Vrapi. Kuçovarët janë në një pozicion më komod në renditje. Kapiteni Vrapi, për “Panorama Sport” u shpreh:
“Padyshim jemi të kënaqur me këtë fillim të mbarë të kampionatit, ku kemi regjistruar dy fitore bindëse. Mendoj se jemi më mirë se në fazën e parë. Falë disa përforcimeve të kryera gjatë merkatos së dimrit, kemi një grup më të konsoliduar. Fillimi është i mirë, po dëshira për të vazhduar me këtë ritëm është e madhe. Jemi të qetë, pasi i jemi larguar fundit dhe tani synojmë vendin e pestë”. ARBEN ÇEPANI
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)