“S’e prisja që ekipi t’ia dilte kaq bukur me Kastriotin”, Bellai: Fitore presioni, Vora nuk e ndal ritmin
Vora ka marrë një fitore me vlera kundër Kastriotit, duke mos e ndalur hapin me dy pretendentet e tjera, Besa e Flamurtari. Fitore ka gëzuar shumë edhe trajnerin Arian Bellai, që e shihte të vështirë këtë takim jo vetëm për forcën dhe cilësinë që ka kjo skuadër, por edhe për fushën e vështirë.Pas suksesit me krutanët, për “Panorama Sport” trajneri Bellai u shpreh: “E diela ishte pak e ndërlikuar. Fillimisht nuk e kisha të sigurt që skuadra do ia dilte kaq bukur me një fitore të pastër. Jo se nuk kisha besim te çunat, por Kastrioti ka lojtarë cilësorë. Madje, është vështirë të fitosh në fushën e tyre. Ne kishim edhe një farë presioni, pasi dy rivalët tanë pretendentë kishin fituar dhe distanca larg tyre ishte zgjatur. Kështu që, na duhej ta fitonim patjetër këtë takim. Ia arritëm falë lojës së bukur të djemve, që zbatuan me rigorozitet udhëzimet tona.
Ishte një takim jo i thjeshtë për t’u zgjidhur, duke pasur parasysh edhe terrenin e lagësht e rrëshqitës, që nuk të lejon të bësh lojën tënde. E kam thënë vazhdimisht, se për ne ka qenë e vështirë dalja te goli, ku shpesh herë nuk jemi të qetë për ta nxjerrë atë. Për këtë dua t’i përgëzoj djemtë për mënyrën që gjetën shpejt shënimin e golit. Për ne ka qenë një fitore mjaft e rëndësishme, pasi ruajtëm hapin me dy rivalët tanë. Kjo rrit edhe më shumë besimin te skuadra jonë, për të mos lënë mangët asgjë në kërkim të objektivit tonë, ngjitjes në Superiore. Ne nuk do ta ndalim hapit deri në fund të këtij viti. Koha e pushimit të ndërprerjes së kampionatit, prej disa ditësh, do të jetë si një frymëmarrja për ekipin për të rimarrë energji të reja e për të qenë edhe më të fuqishëm”.
6 fitore dhe një humbje 3-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit ka arritur Vora e trajnerit Arian Bellai në 7 javët e para të kampionatit. Diferenca me Besën e vendit të parë është -1 pikë, kështu që gjithçka mbetet e hapur.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"