Sefa bën apel për më shumë mbështetje: Prisni tifozë, po vjen Skënderbeu i vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2014 | 9:00

Sefa bën apel për më shumë mbështetje: Prisni tifozë, po vjen Skënderbeu i vërtetë

Skenderbeu-Kukesi 2-0, Sefa ka shenuarFitorja kundër Kukësit sigurisht që ka qenë e rëndësishme për Skënderbeun, por më tepër goli i shënuar pas dy takimesh pa një të tillë i ka dhënë frymëmarrje sulmit bardhekuq. Këtë e ka theksuar edhe vetë sulmuesi kryesor i skuadrës, Fation Sefa, i cili ka gjetur dhe golin e dytë sezonal pas atij të shënuar kundër Elbasanit në javën e parë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, lojtari tregon marrëdhënien me sulmuesit e tjerë të ekipit, duke lavdëruar edhe Peter Olaynkën për ndeshjen e fundit. Por, mbi të gjitha, ka larguar dyshimet për një presion të mundshëm në ekipin bardhekuq me mungesën e golit. Ai është i bindur se skuadra do të vazhdojë të ecë në rrugën e duhur.
Fation, fitorja 2-0 kundër Kukësit, sa e rëndësishme është?
Normalisht është një rezultat që na gëzon, pasi është një kundërshtar për titull dhe ne arritëm ta mundnim në takimin e parë nga katër direkte që do të luhen këtë sezon. Natyrisht është një hap i rëndësishëm përpara dhe jemi të lumtur që jemi rikthyer te fitorja. E vlerësoj shumë këtë sukses dhe shpresojmë që të pasohet me të tjerë në vazhdim.
Kundër Kukësit është parë një tjetër dyshe sulmi. Si ndihet Sefa në një repart me Peter Olaynkën?
Peter është një lojtar shumë cilësor, por duke parë që kemi afërsisht të njëjtin pozicion në fushën na e bën më të thjeshtë bashkëjetesën me njëri-tjetrin. Ai është një sulmues që lëviz shumë dhe krijon hapësirat e nevojshme për mua, në mënyrë që të kem më shumë mundësi për ta goditur portën. Është një dyshe e mirë, por unë e kam thënë që në fillim të kampionatit se Skënderbeu me sulmuesit që ka në dispozicion bën gjithmonë diferencën, pasi çdo dyshe sulmi është tepër efikase.
Pas katër javëve të para sulmi i Skënderbeut ka qenë në “bankën e të akuzuarve” vetëm tre gola në katër takime…
Këtu doja të ndalesha pak për të theksuar se tifozët duhet të jenë pak të duruar me ne. Jo vetëm me sulmuesit, por me të gjithë ekipin. Ne jemi këtu të gjithë të bashkuar me të njëjtin qëllim. Nuk ka rëndësi se kush shënon më shumë apo kush më pak. E rëndësishme është që të marrim pikët e plota në çdo ndeshje, ashtu si bëmë ndaj Kukësit. Prandaj u bëj thirrje tifozëve që të na mbështesin gjithnjë e më shumë, pasi sikundër u pa edhe pas golit të parë me Kukësin, u çliruam shumë si në lojë dhe në sigurinë që kishim në fushë.
Pas shënimit të këtij goli, Sefa në vetvete ndihet i zhbllokuar?
Sefa i zhbllokuar ka qenë që në momentin që ka firmosur me Skënderbeun. Kam ardhur këtu për të bërë më të mirën për këtë ekip dhe shpresoj që të shënoj sa më shumë gola deri në fund për të shpërblyer besimin që kishin drejtuesit për mua.
Tashmë keni një ndeshje në transfertë kundër Teutës. Sa i vështirë do të jetë ky takim?
Sigurisht që është një përballje e vështirë për ne. Pa dyshim, pasi të gjitha takimet janë të forta. Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë, por ne do të shkojmë atje vetëm për fitore. Nuk duhet të ndalemi tani që kemi marrë kreun e renditjes dhe duhet të ecim me këto ritme gjithmonë jo vetëm në shtëpi, por edhe në transfertë.

Mbush 100 vjeç, i vetmi kampion gjallë i 1933-shit
Bashkia e Korçës ditën e djeshme ka zhvilluar një aktivitet special me rastin e 100-vjetorit të lindjes së një prej ikonave të futbollit korçar, Kristaq Bimbli, i njohur më shumë nga të gjithë sportdashësit si Tato Bimbli. Ai është i vetmi nga kampionët e vitit 1933 që është ende gjallë dhe ditët e fundit ka festuar 100-vjetorin e lindjes. Një shekull i tërë që flet për Bimblin si një legjendë. Ditën e djeshme bashkia organizoi një sërë aktivitetesh për të vetmin kampion që është ende gjallë nga Skënderbeu i vitit 1933 dhe që ka marrë titullin “Qytetar nderi i Korçës”. Në orën 09:30, në aneksin e stadiumit, u zhvillua kupa “Tato Bimbli”, ku merrnin pjesë katër skuadra të moshave deri 12 vjeç. Nuk kanë munguar në këtë kupë emrat më të mirënjohur të sportit korçar si Aleko Pilika, Teodor Vaso, Dhimitraq Xhambazi, Dhimitraq Dembo etj., ndërkohë që mes katër ekipeve pjesëmarrëse fitues është shpallur skuadra e drejtuar nga Vasjan Ballco. Në fund u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së trofeut. Menjëherë pas këtij turneu, në familjen e Tato Bimblit kanë kryer vizita personalitete të ndryshme, mes tyre kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo dhe prefekti Ardit Konomi. Aktivitetet kanë vijuar më pas në orën 12:30 me një ceremoni në sallën e Bibliotekës së qytetit, ku përveç të afërmeve dhe personaliteteve, kanë qenë të pranishëm edhe të ftuar të tjerë, teksa të gjithë kanë ndjekur një dokumentar me foto kushtuar karrierës së Bimblit, futbollistit më jetë të gjatë në Shqipëri. Fjalime të shumta dhe kujtime janë mbajtur nga shumë të ftuar, ndërkohë që në fund është shtruar edhe një koktej në këtë ditëlindje të 100- të të ikonës së futbollit korçar, Kristaq (Tato) Bimbli.

Jorgji, makthi i korçarëve për kartonët
Fitorja kundër Kukësit tashmë është lënë pas krahëve në Korçë dhe prej ditës së djeshme kanë filluar të mendojnë për ndeshjen e radhës kundër Teutës. Këtë takim e bën më të vështirë fakti që shtatë futbollistë të Skënderbeut rrezikojnë të mungojnë në ndeshjen kundër Tiranës në Korçë nëse ndëshkohen me kartonë të verdhë. Pikërisht, në këtë listë janë: Arapi, Osmani, Vangjeli, Shkëmbi, Lilaj, Berisha dhe Progni. Problem i madh ky për Skënderbeun e Josës që duket se e ka tepruar pak me kartonët teksa në pesë javë të luajtura, numërojnë 19 të verdhë dhe dy të kuq. Shifra të rëndësishme këto, për të cilat një peshë të madhe ka edhe arbitri Enea Jorgji, i cili, në dy takimet që ka arbitruar Skënderbeun, ka nxjerrë 13 kartonë të verdhë dhe dy të kuq.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"