Serxhio Tabaku: Lushnja ka gjetur entuziazmin, në Vlorë shkojmë për vazhdimësinë
Fitorja e thellë, 5-0, ndaj Kukësit në debutimin e trajnerit Erion Xhafa, ka sjell optimizmin e munguar te Lushnja. Verdhejeshilët po përgatiten për transfertën me Flamurtarin, që do ta luajnë nesër në Vlorë. Te verdhejeshilët ka entuziazëm, pas fitores me shifra të thella ndaj Kukësit.
Skuadra e drejtuar nga Erion Xhafa është me moral të lartë dhe e angazhuar për të bërë më të mirën me skuadrën e momentit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori anësor i Lushnjës, Serxhio Tabaku, u shpreh: “Po përgatitemi për një ndeshje të fortë, pasi luajmë me një kundërshtar që vetëm po fiton. Shpresojmë të jemi në ditën tonë më të mirë. Fitorja me Kukësin na ka bërë shumë entuziastë dhe po përgatitemi për të bërë një tjetër ndeshje të mirë.
Goli? Gjithmonë është bukur kur shënon. Golat më motivojnë dhe më japin krahë. Mund të bëj gjithnjë më mirë dhe besoj se do të jemi në gjendje të mirë në ndeshje me Flamurtarin. Jemi të motivuar dhe besoj se e kaluam atë ngërçin e javëve të para. Për ne, tani ka shumë rëndësi vazhdimësia”. Nën drejtimin e trajnerit Xhafa lushnjarët sot do të kryejnë seancën e fundit në fushën e Plugut, ku pritet të skicohet edhe formacioni për transfertën e Vlorës. Në këtë takim Lushnja nuk llogarit mbrojtësin Fadil Meta, i skualifikuar nga kartonët.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"