Sfida me Egnatian është e radhës në kampionat, Abazaj: Kërkojmë falje për Tiranën, do ndryshojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2024 | 16:24

Sfida me Egnatian është e radhës në kampionat, Abazaj: Kërkojmë falje për Tiranën, do ndryshojmë

Situata jo e mirë në tabelën e renditjes ka bërë që në Ballsh të “shtrëngojnë dhëmbët” për sfidat e radhës, sidomos atë me Egnatian. Presidenca ka kërkuar tre pikët, duke mos e toleruar aspak këtë situatë dhe gjendje në renditje, ndërsa edhe lojtarët janë zotuar se do të bëjnë kthesën.

MARIN ABAZAJ BYLIS

Mallakastriotët që e nisën sezonin me investime, duke afruar lojtarë vendas dhe të huaj, nuk janë aty ku duhet, madje duke u pozicionuar në fundin e renditjes në pjesën më të madhe të javëve të luajtura deri më tani. Kapiteni i Bylisit, Marin Abazaj thotë se skuadra do të reagojë në duelet e shtëpisë.

“Kërkojmë ndjesë për disfatën me Tiranën, sepse ishte një shok për të gjithë neve. Në momentin qe duhet të reagonim, ne nuk koordinuam siç duhet. Duhet që të reagojmë, duke nisur që të vlerësojmë në maksimum sfidat e radhës.

Si në Kupë me Luzin 2008, që ka një ekip simpatik por synimet që ne kemi na detyrojnë të kalojmë turin dhe kjo te na shërbejë edhe psikologjikisht për ndeshjen me Egnatian. Duhet që të fitojmë në duelin e radhës, sepse situata nuk është e mirë, nuk është treguese reale, por ne duhet që të bëjmë çmos dhe ta fitojmë këtë ndeshje, për të kërkuar vazhdimësinë më tej.

Në këtë strukturë kampionati nuk ka duele të ashtuquajtura të forta dhe të lehta, ekipet janë aty-aty, madje në gjykimin tim, vetëm 2-3 bëjnë diferencë të vogël. Sa jemi në kohë duhet që të mbledhim forcat, sepse kemi kualitet dhe mundësi. Bylisi e ka treguar edhe me ekipe rivale se di të bëjë mirë dhe të marrë rezultat, prandaj është momenti që të bëjmë kthesën dhe të ‘flasim’ me pikë”, tha kapiteni i mallakastriotëve, Marin Abazaj.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"