Sfida me Norvegjinë në “Loro Boriçi”, Megi Doçi: Sfidë e vështirë, kërkojmë mbështetjen e tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 17:26

Sfida me Norvegjinë në “Loro Boriçi”, Megi Doçi: Sfidë e vështirë, kërkojmë mbështetjen e tifozëve

Kombëtarja e Shqipërisë për femra përballet nesër me Norvegjinë në stadiumin “Loro Boriçi”, prej orës 16:00. Sfida vlen për kualifikueset e Euro 2025 dhe lojtarja Megi Doçi është prononcuar në prag të këtij takimi.

megi doci

Doçi ka vënë theksin te vështirësia e ndeshjes, teksa ka kërkuar mbështetjen e publikut shkodran.

“Po e presim me emocion duke pasur parasysh se jemi kualifikuar dhe kemi dalë nga grupi, për ne ishte arritje sepse dita-ditës po rritemi si ekip kombëtar dhe është e rëndësishme. E dimë çfarë ekipi kemi përballë, jemi përballur dhe herë tjera dhe i dimë cilësitë, por kemi besim dhe me sakrificë e dëshirë do japim gjithçka në fushë, për më të mirën.

Do jetë ndeshje e vështirë se ekipi që kemi përballë është i fortë. Dëshira ime për të shënuar nuk do mungojë, dëshira më e madhe është të jap më të mirën për ekipin duke qenë se dhe e udhëheq. Vajzat janë të motivuara maksimalisht. Besoj se dhe vajzat e presin me emocion këtë ndeshje.

Do jetë e vështirë, e thashë, është ekip me cilësi brenda. Ne jemi ekip që jemi rritur dita-ditës, besojmë te vetja, si dhe prurjet e reja besoj se kanë besim. Duke mbështetur njëra-tjetrën, duke dhënë maksimumin dhe më të mirën, duke luajtur grup do të japim më të mirën në fushë për rezultat pozitiv.

Fusha e ‘Loro Boriçi’ është fushë që kam 13 vite që luaj këtu. Shkodra e ka pritur gjithmonë mirë futbollin. Dua t’i jap mesazh tifozëve se janë të gatshëm të na mbështesin në këtë stadium, do doja t’i thoja të jenë nesër në stadium se kemi nevojë. Është kundërshtar i vështirë, por jo i pamundur se futbolli ka treguar që asgjë nuk është e pamundur.

Në futboll nuk thuhet asnjëherë jo. Besimi është gjithmonë për të shënuar, por e rëndësishme të luaj për ekipin, të shprehet mirë ekipi, të luajë fort, dhe luftën që gjithsecila vajzë ka dëshirë të japë. Si ekip kombëtar jemi çdo vit në rritje, ekipi ynë ka karakter dhe do e tregojë në fushën e lojës”, u shpreh Megi Doçi në konferencë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"