Sfidat “e nxehta”/ Kalendar makthi, Liverpuli do të prezantohet shpejt me Slotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2024 | 23:38

Sfidat “e nxehta”/ Kalendar makthi, Liverpuli do të prezantohet shpejt me Slotin

Epoka e Arne Slotit nuk mund të kishte nisur më mirë me “Reds” që kanë marrë tre fitore nga tre ndeshjet e tyre të para në Premier Ligë, duke mos pësuar asnjë gol. Megjithatë, tifozët e Liverpulit së shpejti do të mësojnë në javët në vijim se si do të jetë me të vërtetë sezoni me trajnerin holandez, pasi ata do të përballen me një periudhë ndeshjesh brutale me peshat e rënda, të cilat do të testojnë cilësinë dhe thellësinë e skuadrës së tyre.

arne slot

Kalendari i vështirë fillon me një udhëtim jashtë me gjigantët italianë të Milanit më 17 shtator në Ligën e Kampioneve, përpara se të kthehen në “Anfield” ku do të takohen me një tjetër skuadër italiane, këtë herë Bolonjën më 2 tetor.

Temperaturat vetëm do të ngrihen nga ky moment, sepse pas disa javësh, lojtarët e Arne Slotit do të përballen me Çelsin, Lajpcigun dhe Arsenalin, të gjitha brenda një periudhe nëntë ditore. Ata do ta nisin këtë kalendar të vështirë duke pritur Çelsin e Enco Mareskës më 19 tetor, përpara se të shkojnë në Gjermani vetëm katër ditë më vonë, më 23 tetor, ku do të përballen me Lajpcigun. Të kuqtë do ta përfundojnë këtë seri të vështirë ndeshjesh në Londër, ku do të përballen me rivalët për titull, Arsenalin, më 27 tetor në “Emirates”.

Megjithatë, ky nuk është fundi, sepse skuadra nga Mersejsajdi do të mirëpresë në “Anfield” ish-lojtarin Ksabi Alonso kur të përballen me skuadrën e spanjollit, Bajer Leverkusenin më 5 nëntor, vetëm tre ditë pasi ata do të kenë pritur Aston Vilën e Unai Emerisë. Nga këtu, fati i tyre i keq vazhdon. Ndeshja e tyre e radhës në shtëpi në Ligën e Kampioneve pas kësaj është kundër kampionëve aktualë të Realit të Madridit më 27 nëntor, e cila më pas do të pasohet nga një përballje titulli për kreun e klasifikimit të Premier Ligës kundër Mançester Sitit, më 30 nëntor.

Ngushëllimi i vetëm për të dyja këto ndeshje është se ato do të zhvillohen në “Anfield”. Por ata nuk do të kenë shumë kohë për të marrë veten, sepse më pas do të udhëtojnë në Njukasëll më 4 dhjetor, përpara se të përballen me rivalët e Evertonit në derbin Mersejsajdit tre ditë më vonë, më 7 dhjetor. Dhe sikur të mos mjaftonin këto dy sfida të nxehta, ata do të kenë edhe një përballje në Champions 72 orë pas derbit me Evertonin, duke udhëtuar drejt Spanjës për t’u përballur me Gironan më 10 dhjetor.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"