Sfidon Veronën, trajneri Mota: Jam i privilegjuar, kjo Juve s’ndalet më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2024 | 13:40

Sfidon Veronën, trajneri Mota: Jam i privilegjuar, kjo Juve s’ndalet më

Me një fitore sot mund të konsolidojë vendin e parë duke i dhënë besim skuadrës e duke mbajtur njëkohësisht në distancë rivalet. Tiago Mota e di fort mirë rëndësinë e ndeshjes me Veronën (sot në 20:45), rival të cilin e ka analizuar në konferencë për shtyp së bashku me problematikat e Juves së tij.motaSi ju duket jeta tek Juventusi?

Takoj disa njerëz fantastikë që më transmetojnë entuziazëm. Unë kam një grup me djem që vijnë me një dëshirë të madhe për t’u stërvitur, përmirësuar dhe konkurruar në stërvitje.

Si është skuadra dhe cila janë rreziqet e sfidës së Veronës?

Grupi po ecën mirë. Kemi punuar si duhet, duke mbajtur gjithmonë këmbët në tokë pas ndeshjes së parë të kampionatit. Do të përballemi me një skuadër që po shkon mirë pas fitores ndaj Napolit. Do të jetë një betejë ndaj një rivali që di se çfarë do.

Keni ndonjë pjesë që ju mungon në organikë?

Kam lojtarë me karakteristika të ndryshme që janë funksionale për ekipin tonë. Të gjithë kanë të njëjtin shans për të provuar se mund të luajnë. Ndihem një trajner me fat dhe me mua të gjithë do të kenë shansin për të luajtur.

Cilat do të jenë mungesat për këtë takim?

Danilo pësoi një goditje në stërvitje dhe nuk u stërvit të shtunën. Do të vlerësojmë para ndeshjes gjendjen e tij. Milik po rikuperohet dhe nuk është ende në gjendje për të punuar me grupin. Do të mungojnë edhe Turami me Ueah.

Ku do të luajë Kalulu dhe a prisni prurje nga merkato?

Kalulu është mirë fizikisht dhe po përshtatet si duhet. Mund të luajë si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i krahut, por të shohim. Sa për merkaton, drejtuesit po punojnë si duhet. Niko dhe Fransisko janë lojtarë të fortë dhe kjo është arsyeja pse ata do të vijnë në ekipin tonë. Të gjithë lojtarët që do të vijnë do të na ndihmojnë shumë për të qenë pretendentë për titull. Kështu ndodh edhe me ata që janë këtu.

Mbangula do të jetë përsëri titullar?

Ai mund të luajë në të djathtë ose në të majtë. Edhe duke luajtur në të djathtë, ai mund t’i japë shumë skuadrës.

Çfarë prini nga kjo sfidë e radhës?

Të gjitha ndeshje janë të ndryshme. Pres një histori tjetër dhe do të duhet të jemi gati për të gjithë. Gjejmë një kundërshtar në një moment të madh. Duhet të japim maksimumin dhe të gjithë duhet të bëjnë më të mirën në shërbim të skuadrës. Verona është mësuar të luajë një lloj të caktuar ndeshjesh. Është një ekip që lufton dhe e vë gjithmonë kundërshtarin në vështirësi.

REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"