Shantazhuan familjen e Shumakerit, në gjyq ish-truprojat
Duhej të ishte një person shumë i besueshëm, ndërsa tani ndodhet në proces gjyqësor me familjen Shumaker.Markus Fritçe, ish-ekspert i sigurisë për familjen e kampionit të Formulës 1, akuzohet se ka zhvatur punëdhënësit e tij. Personi në fjalë, së bashku me një bashkëpunëtor (Ilmaz T.), dyshohet se i kanë kërkuar familjes Shumaker rreth 15 milionë euro për të mos bërë publike 900 foto private, të dhënat mjekësore dixhitale të Shumit dhe plot 600 video.
HISTORIA – Fritçe (i cili tani thotë se është penduar për veprimet e tij) dyshohet se ka bërë disa telefonata me anëtarët e familjes Shumaker duke kërkuar që pagesa të ndahej në dy pjesë. Në fund të seancës ai premtoi se do t’i dorëzojë hard disqet që përmbajnë të dhënat në posedim të tij. Pas marrjes së telefonatës së parë shantazhuese, familja Shumaker ka bërë edhe denoncimin. Seanca e parë u zhvillua mëngjesin e djeshëm në Gjykatën e Qarkut Vupertal në Gjermani, ku Fritçe dhe bashkëpunëtori i tij u shfaqën të qetë. Para leximit të aktakuzës, gjyqtarja Birgit Nobert miratoi kërkesën e bashkëshortes së Shumit, Korinna, për t’iu bashkuar padisë civile në emër të saj dhe në emër të bashkëshortit të saj, Mikael.
Në këtë mënyrë familja ka mundësi të paraqesë kërkesa në proces. Për shembull, mund të bëjë një kërkesë për të mbajtur private detajet e shëndetit të ish-pilotit. “Të dhënat e marra janë jashtëzakonisht të ndjeshme. Familja Shumaker nuk dëshiron të zbulojë gjendjen shëndetësore të Mikaelit. Të dhënat në fjalë japin informacion të konsiderueshëm pikërisht për këtë çështje”, deklaroi prokurori publik. Ndër të tjera këtu përfshihet pikërisht kartela mjekësore dixhitale e Shumit. “Do të jetë gjithashtu në dorën e gjykatës që të vendosë se si këto të dhëna do të përdoren dhe do të futen në procedurë dhe nëse kjo do të zhvillohet në një seancë publike apo jo”, vijoi prokurori, ndërsa në seancën e parë u thirrën dhjetë dëshmitarë.
APOLOGJIA – “E pranoj, unë kam qenë ai që e kam bërë këtë katrahurë. Ju lutem tregojini familjes Shumaker që më vjen shumë keq. Mendoja se mund të fitoja disa para nga kjo histori. Shuma duhej të ishte mes 10 dhe 15 milionë eurove. I shkarkova të dhënat, duke i kopjuar në katër USB. I kërkova djalit tim të krijonte një adresë ‘e-mail’-i të pagjurmueshme”, tha Ilmaz, duke treguar pendesë për veprimet e tij dhe duke i kërkuar falje familjes së ish-pilotit të Ferrarit.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"