Shehi: Vorën do ta keni në Superiore, fitojmë me Pogradecin; Nikaj: Përballje e fortë, i ka të tria rezultatet
“Vora gjithmonë futet në fushë për fitore. Kjo nuk bën përjashtim as për Pogradecin”, ka thënë Dajan Shehi. Ekipi vijon përgatitjet për takimin e radhës kundër Pogradecit, edhe pse diferenca e pikëve është 12/6, përkushtimi dhe vlerësimi për këtë ndeshje është maksimal. Vorakët nuk duan të nënvlerësojnë asnjë ekip, madje as Pogradecin që ka ardhur si debutues në këtë kategori.
Të gjithë janë të përqendruar te takimi i radhës dhe do të kërkojnë fitoren e 5-të sezonale, në mënyrë që të përparojnë drejt objektivit, vendi i parë në fund të sezonit dhe ngjitja në Superiore. Lidhur me këtë takim, qendërmbrojtësi elbasanas i Vorës, 27- vjeçari Dejan Shehi thotë:
“Vora është një ekip që ka në përbërje lojtarë të rinj dhe me eksperiencë dhe objektivin sezonal do ta bëjë realitet. Vorën do ta kini në Superiore. Siç e kam theksuar dhe më parë, ne futemi gjithmonë në fushë, përballë çdo ekipi për të marrë maksimumin. Shpresoj që të vijojmë rrugën tonë dhe ta harrojmë atë humbje në Vlorë. Në atë takim unë pata një dëmtim, por tani çdo gjë ka kaluar. Skuadra po i merr ndeshjet një e nga një dhe skuadra është e përqendruar vetëm te takimi i radhës. Unë si gjithnjë do të ndihmoj ekipin, duke dhënë maksimumin ndeshje për ndeshje”, ka përfunduar prononcimin e tij Dajan Shehi, qendërmbrojtësi i Vorës.
ABDULLA DUSHKU
Nikaj: Përballje e fortë, i ka të tria rezultatet
Pas fitores së arritur një javë më parë ndaj Erzenit në “Gjorgji Kyçyku”, me gol të kroatit Panadiç, skuadra e Pogradecit sot në orën 16:00, ka një transfertë të vështirë. Përballë liqenorëve do të jetë Vora, e cila pas pesë javësh kampionat renditet e treta me 12 pikë. Në një prononcim për gazetën përpara kësaj sfide, trajneri Samuel Nikaj thotë se do të jetë një përballje e fortë ajo kundër Vorës:
“Luajmë kundër një skuadre që aktualisht është ndër më të mirat e Kategorisë së Parë. Skuadra është në gjendjen e saj më të mirë. Jemi përgatitur maksimalisht për të dhënë më të mirën. Parashikoj një ndeshje të fortë, që i ka të tria rezultatet brenda”, thotë ai. Sipas numrit një të pankinës liqenore, skuadrës do t’i mungojë për arsye dëmtimi, mesfushori Jorgo Qeleshi. Aktualisht pogradecarët ndodhet në vendin e shtatë me gjashtë pike dhe vijnë në këtë transfertë nga një rezultat pozitiv dhe shpresojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe sot.
NDERIM GOCI
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"