Shënoi eurogol për Burrelin kundër Kastriotit, Dedgjonaj: Kisha kohë që e kërkoja një gjë të tillë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2024 | 19:27

Shënoi eurogol për Burrelin kundër Kastriotit, Dedgjonaj: Kisha kohë që e kërkoja një gjë të tillë

Burreli mori një fitore të pastër dhe me përmbysje ndaj rivalëve krutanë në shifrat 3-1. Kapiteni i matjanëve Aleksi Dedgjonaj, që shënoi një eurogol, në analizën që i bën ndeshjes dhe ecurisë pozitive të Burrelit, vlerëson mbi të gjitha impenjimin dhe sakrificën e të gjithë lojtarëve. Fillimisht për “Panorama Sport”, Dedgjonaj u shpreh:

dedgjonaj burreli

“Ishte vërtetë një ndeshje e luftuar, por e mirëpërgatitur deri në detaje nga ana jonë, ndonëse kishim mungesa titullarësh, ndër të cilët veçoj golashënuesin Farruku dhe mbrojtësin Muriel, etj. Pavarësisht nga kjo, ne ishim të motivuar dhe donim patjetër ta fitonim takimin për të vijuar ecurinë pozitive, sepse vinim pas një fitore të vështirë e të merituar në Pogradec. Ne e filluam vrullshëm lojën, krijuam epërsi dhe raste, por na mungoi finalizimi. Futbolli është i bukur se i ka edhe këto gjera, ndëshkohesh atëherë kur nuk e pret. Pas pësimit të golit, ne nuk ramë në pesimizëm, përkundrazi u mobilizuan dhe besuam fort se mund të bënim më të mirën dhe në fakt ashtu doli. Ia dolëm në një terren shumë të vështirë për të luajtur futboll” .

Sakrifica dhe eurogoli- Dedgjonaj sakrifikoi shumë për këtë ndeshje, teksa ka guxuar të luajë edhe pse ka pasur probleme serioze dëmtimi. Për këtë ai shprehet: “Kam pasur një kontraktim të ashpër në kofshën e djathtë, që më ka penguar të bëj stërvitje dy ditë para ndeshjes. Pavarësisht kësaj, besova dhe me sakrificë munda t’ia dal edhe pse me dhimbje konstante gjatë gjithë ndeshjes. Në këtë sfidë ia dolëm të gjithë së bashku, pasi nuk isha vetëm unë me probleme fizike, por edhe Paloka që gjithashtu bëri një ndeshje shumë të mirë.

Në futbollin profesionist, në momente të veçanta duhet edhe sakrificë. Ne thjesht bëmë atë që kishim detyrë të bënim për ekipin”. Sa i përket golit të barazimit realizuar prej tij, Dedgjonaj u shpreh: “Goli ishte një ekzekutim i mirë mendoj. Kam kohë që e kërkoj dhe tentoj një realizim të tillë, por atë ditë ishte diçka e perfeksionuar. Ndonëse ishte paksa e vështirë nga ajo distancë, isha i bindur që duhet ta provoja dhe nuk më doli keq që e tentova dhe e realizova”. Në ndeshjet e fundit qendërmbrojtësin Aleks Dedgjonaj ka luajtur në mesfushë, pozicion të cilin e ka kryer mjaft mirë duke justifikuar besimin e dhënë nga trajneri Bicaj.
MARTIN DEDAJ-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"