Shënoi golin e barazimit kundër Skënderbeut, kapiteni Lulaj: Një pikë nuk është keq, e kam shijuar
Një gol i rëndësishëm në një stadium që e njeh shumë mirë. Bruno Lulaj shënoi në Korçë, jo për Skënderbeun, ish-skuadrën e tij për disa vite, por për Elbasanin, ku kaloi në merkaton e verës dhe u gradua kapiten nga drejtuesit e klubit.
Pas ndeshjes në Korçë, Lulaj u shpreh në një prononcim për “Panorama Sport” se e ka shijuar shumë golin dhe se barazimi ndaj Skënderbeut nuk është rezultat i keq.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë, por në një fushë që të lejon të luash futboll dhe në një atmosferë të mirë. Mund të them se goli i shpejtë i Skënderbeut na i prishi pak planet, megjithatë nuk kemi hequr dorë deri në fund, duke kërkuar me ngulm reagimin dhe barazimin. Kemi besuar deri në fund dhe kemi pasur raste të mira për shënim. Për fat të mirë, goli erdhi dhe mund të them se një pikë në Korçë përballë Skënderbeut nuk është rezultat i keq. Tani shohim ndeshjen e radhës për të dhënë më të mirën në vazhdim. Ky grup të jep besim, pasi kemi krijuar një skuadër të mirë dhe që ka shumë cilësi. Edhe në këtë ndeshje kemi treguar se do të jemi të fortë dhe në kërkim të maksimumit deri në fund. Kemi bërë një ndeshje të mirë dhe do të vijojmë të punojmë me kokën ulur. Goli ishte nisja më e mirë e kësaj aventure në qytetin tim. E kam shijuar shumë dhe jam i lumtur që ia arrita. Shiriti i kapitenit është përgjegjësi e madhe për mua dhe dua ta shpërblej në maksimum besimin e dhënë nga drejtuesit e klubit”, është shprehur mbrojtësi 29-vjeçar, i cili luan për herë të parë për Elbasanin, pas eksperiencave që ka pasur me Skënderbeun, Laçin, Kukësin dhe Tiranën.
ILDI MEROLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"