Shënoi golin e trepikëshit për Burrelin, Xhaka: Fitore me zemër, reflektuam menjëherë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 21:25

Shënoi golin e trepikëshit për Burrelin, Xhaka: Fitore me zemër, reflektuam menjëherë

Goli i shënuar në fund të ndeshjes nga 20-vjeçari shkodran, Ildi Xhaka, i dha një fitore më se të merituar skuadrës matjane. Nëse bëjmë bilancin e ndeshjes, Burreli ka dominuar në të gjitha drejtimet.XHAKA BURRELIMegjithëse golat erdhën me shumë vonesë, loja e zhvilluar nga të besuarit e Bicajt, ishte ndër më të mirat në katër javët e kampionatit. “Nëse shprehemi figurativisht, ndeshja kundër Pogradecit, ishte një fitore me zemër. Jo sepse golat erdhën në minutat e fundit, por dhe loja e skuadrës ishte mjaft e mirë, kjo e shoqëruar me raste të pastra shënimi. Zoti na e shpërbleu në momentin e fundit, kur skuadra po vuante shënimin e golit të fitores”, thotë për gazetën “Panorama Sport”, mesfushori i matjanëve.

Xhaka është bërë pjesë e ekipit në merkaton e verës, pas dy vitesh eksperiencë me Tërbunin e Pukës. Ai thotë se goli që shënoi e ka një dedikim. “Golin e shënuar fillimisht ia dedikoj familjes dhe sportdashësve matjan, të cilët na përkrahin dhe na inkurajojnë në çdo ndeshje”. Pas fitores me Pogradecin, skuadra e Bicajt renditet e treta në renditje. Në katër ndeshjet e zhvilluara, skuadra ka grumbulluar tetë pikë në këto katër javë, me golavarazh 4-2.

“Në përgjithësi kemi zhvilluar ndeshje të mira. Barazimi me Valbonën në fushën tonë, i arritur në javën e dytë, na shërbeu si leksion që ndeshja duhet vlerësuar, dhe reflektimi ishte i menjëhershëm. Barazimi në Peshkopi ndaj Korabit në transfertë, u pasua me fitoren aq shumë të merituar ndaj Pogradecit. Fundjava na rezervon një tjetër përballje kundër Kastriotit dhe objektivi do të jetë i njëjtë: të mos kthehemi duar bosh nga Fushë-Kruja”, mbyll komentin e tij, mesfushori i ardhur nga akademia e Shkodrës, Ildi Xhaka.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"