Sherre, alkool dhe makina të vjedhura/ “Djali i keq”, jeta e shthurur e heroit të Interit që ofendoi futbollistin shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 0:03

Sherre, alkool dhe makina të vjedhura/ “Djali i keq”, jeta e shthurur e heroit të Interit që ofendoi futbollistin shqiptar

Heroi i papritur. Si për çudi, Marko Arnautoviç i lindur në Vjenë në vitin 1989 ka luajtur vetëm 9 ndeshje në total në Ligën e Kampionëve: 4 me Interin dhe 5 me Verder Bremenin. Dueli kundër Atletikos së Madridit ishte i pari në karrierë në një fazë eliminatore dhe golin e parë në Champions e ka shënuar në moshën 34-vjeçare.

arnautovicccc

“Nuk ishte aspak e lehtë të rikthehesha pas dëmtimit. Më duhej kohë. Në javët e fundit kam shënuar shumë pak, por unë kam ardhur këtu për të shënuar. Tifozët dhe shokët e skuadrës më kanë mbështetur dhe më kanë dhënë energji për të vazhduar përpara.

Goli ishte një moment i jashtëzakonshëm. Ndoshta nga më të rëndësishmit e karrierës sime”, tha austriaku me çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes.

DJALOSHI I KEQ –Talenti kurrë nuk i ka munguar, por mendja po. Që në fillimin e karrierës e krahasonin me Zlatan Ibrahimoviçin, me të cilin shumë pak pati mundësi të luante, në fillimet e sezonit 2009-2010 në fazat përgatitore. Por Arnautoviçin ndoshta e mbajnë mend vetëm tifozët e Interit sepse në atë periudhë luajti vetëm 55 minuta. Bënte pjesë në ekipin që fitoi Tripletën me Zhoze Murinjon.

Kishte miqësi me Mario Balotelin, i cili e quan si njeriun më të çmendur që njeh në karrierën e tij. Fjalë të çuditshme, të thëna për më tepër nga një “kokëkrisur” si Super Mario.

“Marko më bën të dukem njeriu më monoton në botë. Ai është i çmendur”, ka thënë dikur Baloteli. Në atë vit, Murinjo u lodh nga fakti që Arnautoviç vinte shumë vonë në stërvitje dhe i dhuroi orën e tij që të kujtohej më shpejt. “Ende e kam në shtëpi atë”, thotë sulmuesi zikaltër. Ajo që Murinjo nuk dinte ishte arsyeja.

Stërvitja ishte në 5 pasdite, ndërsa ai me mendjen e tij kishte menduar se ishte në 5 të mëngjesit. Por ky nuk ishte episodi i tij më qesharak në jetë dhe në karrierë. Vite më parë Samuel Eto i dha borxh makinën e tij tip “Bentley GT63” që kushtonte 150 mijë euro për të shkuar në një festë në Milano. Mirëpo, kur doli nuk e gjeti më makinën. I kishte lënë çelësat në derë dhe ia vodhën. U shfaq disa vite më vonë në Hungari.

SKANDALE –U josh nga jeta e natës dhe Milano. “Në shtëpinë time në Holandë (aty luajti me të rinjtë) të vetmet vizitore ishin lopët që kullotnin bar. Në Milano jam i rrethuar nga vajzat e bukura”, kujton 34-vjeçari. Budallallëqe ka pasur pafund në jetën e tij. Në moshën 19-vjeçare e akuzuan se ofendoi Ibrahim Kargbon në ekipin Vilem II, por nuk e dënuan për mungesë të provave.

UEFA e pezulloi për 1 ndeshje në Europianin e vitit 2020 pasi ofendoi Ezgjan Alioskin. Përtej fushës, ai ka dëmtuar rëndë gjurin sepse vendosi këmbën keq në një gropë duke luajtur me qenin në oborrin e tij. Policët e kanë ndalur disa herë duke thyer rregullat e qarkullimit, sidomos mbi shpejtësinë e lejuar. “Fitoj aq shumë, sa mund të blej jetën tënde”, mësohet tu ketë thënë policëve.

KARRIERA –Ulje-ngritje të shumta ka pasur në karrierë. Nëse do të kishte mend, mund të ishte një nga sulmuesit më të rëndësishëm. Arnautotiç ka luajtur me Tuenten nga viti 2007-2010, pastaj një sezon me Interin dhe transferimi te Verderi nga viti 2010-2013. Shumë vite i kaloi te Stok Siti në 2013-2017 dhe pastaj Uest Hem, Shangai Port, Bolonja dhe rikthim tek Interi.

“Nuk stërvitesha fare në Kinë”, tregon Arnautoviç që e kishte mendjen tek alkooli dhe festat. Momentin më të mirë e ka pasur në Premier Ligë. Formoi treshen e famshme të sulmit te Stok Siti me Arnautoviç-Bojan-Shaqiri.

Në atë kohë shënoi ndaj Mançester Sitit. Në dhomat e zhveshjes së asaj skuadre ishin disa fitues të Champions-it si Bojan, Muniesa, Afelai, Arnautoviç dhe Xherdan Shaqiri. Pavarësisht emrave nuk shërbeu për të fituar asgjë, por thjesht për të shpëtuar në kategori. Në moshën 34- vjeçare ka shansin e artë të karrierës së tij. Interi e transferoi pasi u larguan Lukaku dhe Xheko dhe do të formonte sulmin me Lautaro Martinezin dhe Turamin.

Ndoshta, Arnautoviç mendoi se do të ishte titullari i Interit, por u befasua nga forma që po kalon Turam. Megjithatë, ja ku erdhi momenti i tij. Nuk duhet ta shpërdorojë. Ka provën e së vërtetës për të luajtur të gjitha shanset e qëndrimit për sezonin e ardhshëm me fanellën e Interit.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"