Shifrat/ Dinamo me sulmin më të mirë, paradoks tek Egnatia
Sulmi më produktiv i Superiores, duke iu referuar këtyre 13 javëve të kampionatit, është ai i Dinamos.
Blutë mbajnë vendin e dytë sa u takon golave të shënuar, me 19 gola, pas Vllaznisë që ka shënuar 21 gola, por janë në vend të parë sa i takon rendimentit të repartit të avancuar. Tre titullarët e sulmit të “Nëndetëses”, Itodo Mandela, Dejvi Bregu dhe Baton Zabërgja, kanë qenë efikasë në lojën e tyre, madje golin e kanë bërë “monopol” te skuadra kryeqytetase.
Meksi është i vetmi që ka shënuar te Dinamo, përveç sulmuesve. Mandela dhe Zabërgja kanë shënuar nga 6 gola, kurse Bregu 5 gola. Të tre bashkë e kanë gjetur rrugën e rrjetës 12 herë dhe duke shtuar edhe 1 gol të Lorenco Vilës, atëherë sulmi blu bëhet më produktivi me 18 gola. Ky repart e ka bërë punën e vet deri në këtë pikë të kampionatit dhe trajnerit Ilir Daja në vazhdim i duhet të “kënaqë” edhe mesfushorët dhe mbrojtësit me ndonjë gol.
Pas 13 javësh, 18 herë kampionët e vendit mbajnë vendin e 4-t, me pikë të barabarta me Egnatian, që ka fituare në nga dy ndeshjet direkt mes tyre. Blutë nuk kanë shënuar vetëm në 3 ndeshje, 2 javët e para, kur drejtoheshin nga Mehmeti dhe në derbin me Tiranën, kur trajner ishte Daja.
TË TJERËT – Vendin e dytë, gjithmonë duke iu referuar rendimentit të sulmit, e mban Vllaznia. Shkodranët kanë shënuar po me 4 sulmues, si Dinamo. Edhe pse kanë në gjirin e tyre golashënuesin më të mirë të kampionatit, Bekim Balajn me 8 gola, ata kanë realizuar 15 herë më sulmin, 3 herë më pak se kryeqytetasit. Vendin e tretë në këtë klasifikim e mban Tirana, sulmi i së cilës ka realizuar 12 gola me 4 lojtarë të ndryshëm, të cilët janë Zharmuni, Ndreca, Prenga dhe Bajroviç. Partizani vjen më pas me 11 gola që mbajnë firmën e sulmuesve dhe konkretisht të Bintsukës, Mbasë, Carës dhe Zekës.
PARADOKSI EGNATIA – Bie në sy fakti se Egnatia kampione në fuqi, e treta aktualisht në renditje, ka sulmin e dytë më të keq të kampionatit. Një situatë paradoksale për momentin te rrogozhinasit. Sulmuesit e Egnatias kanë shënuar vetëm 3 gola dhe bëhet fjalë për Vuthajn (2 gola) tashmë të larguar dhe Xhoel (1 gol). Gjithë golat e tjerë i kanë realizuar mbrojtësit dhe mesfushorët. Më keq se kampionët në fuqi në këtë drejtim ka bërë vetëm Bylisi i vendit të fundit, që ka shënuar vetëm 2 gola me anë të sulmuesve (Gjata dhe Berko).
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"